Ndonëse i kanë në funksion dy rezonanca magnetike, Klinika e Radiologjisë nuk ka arritur të kryej shërbime për pacientët duke krijuar lista të pritjes deri në shtator të këtij viti.
Rezonanca magnetike është ekzaminim mjekësor pa dhimbje, përmes të cilës bëhet diagnostikimi i sëmundjeve të ndryshme, atëherë kur ekzaminimet e tjera radiologjike janë të pamjaftueshme.
Në pamundësi për të pritur gjatë për shkak të gjendjes shëndetësore, pacientët kosovarë iu drejtohen klinikave private në të cilat nuk kanë nevojë të presin as edhe një ditë.
Momentalisht në Republikën e Kosovës në sektorin publik, janë vetëm dy aparate të rezonancës magnetike të instaluara në Klinikën e Radiologjisë, në QKUK.
Drejtori i kësaj klinike, Bujar Gjikolli i tha Gazetës Sinjali se nevoja për aparate shtesë është e dukshme.
“Lista e pritjes momentalisht është deri në shtator, por me aktivizimin e dy aparateve me kapacitete të plota pas tejkalimit të pandemisë, do të mund të shërbehen shumë më tepër pacientë”- tha Gjikolli.
Ai thotë se në vitin 2018 janë realizuar 5 mijë e 826 rezonanca magnetike, derisa në vitin 2019 janë realizuar 9 mijë e 133 të tilla.
“Në muajin janar të vitit 2020, janë realizuar 972 ekzaminime me rezonancë, në muajin shkurt janë realizuar 995, në muajin mars 490 ndërsa gjatë muajve të pandemisë është punuar me kapacitete të zvogëluara.”
Sinjali mëson se një aparat i rezonancës magnetike mund të përmbush nevojat e jo më shumë se 150 mijë banorëve, por në Kosovë një aparat i tillë për një kohë të gjatë ka qenë në dispozicion të 1.8 milion qytetarëve.
Gjikolli thotë se me planifikimin për nevojat e aparaturës për mbarë radiologjinë kosovare, duhet të ketë aparat të rezonancës magnetike në çdo spital rajonal.
Kërkesa ka edhe për një aparat të rezonancës magnetike për spitalin e ri të fëmijëve, raporton Sinjali.