Një radiolog i cili punon në spitalin privat MIM, është emëruar shef i repartit të Radiologjisë në Spitalin e Gjakovës nga u.d. drejtori Ardian Jusufi
Afera e emërimeve në Spitalin publik të Gjakovës të lidhura me spitalin privat MIM, kanë vazhduar edhe gjatë kësaj jave, shkruan Gazeta Shneta.
Radiologu Blerim Jetishi i cili punon në spitalin privat urologjik MIM, është emëruar shef i repartit të Radiologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës.
Jetishi në profilin e tij në facebook në javët e fundit ka bërë reklamë për një aparaturë të re të instaluar në spitalin MIM.
Para Jetishit, radiologjia në SP Gjakovë është udhëhequr nga Burim Polloshka. Ky i fundit ka thënë për Gazetën se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë para një muaji.
Por krahas shefit të radiologjisë, është ndërruar edhe kryeinfermieri i repartit të urologjisë, Berat Vishaj. Aty ka ardhur shefe një familjare e Jusufit, Shpresa Deva. Kjo e fundit nuk ka pranuar të flas për Gazetën Shneta.
Deva ka punuar si infermiere në repartin e Ortopedisë, ndërsa tani do të udhëheq repartin e Urologjisë ku është emëruar shef edhe aksionari i Spitalit MIM Nexhat Rexha për të cilin Gazeta ka raportuar ditë më parë.
Përveç tyre Gazeta ditë më parë ka raportuar edhe për emërimin e dhëndrit të Jusufit, Genc Macula, shef i repartit të Gjinekologjisë. /Gazeta Shneta/