Qendra Klinike Universitare e Kosovës është ‘vërshuar’ sot nga mediat nacionale të Kosovës dhe rajonit për të ndjekur një paraqitje të ministrit të Shëndetësisë Dr. Arben Vitia. Ky i fundit ka bërë thirrje për qetësi, ndërsa ka deklaruar se për çdo rast opinioni do të njoftohet me kohë dhe në mënyrë transparente
Media të shumta kanë qenë të pranishme sot në Klinikën Infektive në QKUK ku po mbahej një konferencë e ministrit të Shëndetësisë Dr. Arben Vitia dhe ambasadorit italian në Prishtinë, shkruan Gazeta Shneta.
Konferenca u mbajt pas përurimit të laboratorit mikrobiologjik në Infektivë i cili ishte donacion nga Italia. Por kjo gjë kishte pak rëndësi për mediat, të cilat erdhën për t’u interesuar për gjendjen dhe masat që janë ndërmarr kundër koronavirusit në Kosovë.
Vitia i është përgjigjur dhjetëra pyetjeve të gazetarëve lidhur me veprimet që janë ndërmarr kundër kësaj sëmundje e cila tanimë është përhapur në shumë vende të botës. Koronavirusi ‘Covid-19’ është konfirmuar me mbi 200 raste në Itali, ku shumë qytetarë të Kosovës janë banorë rezident e poashtu ka mjaft lëvizje shkuarje-ardhje.
Vetëm në tre ditët e fundit tre qytetarë janë paraqitur në Infektivë si të dyshuar me koronavirus, për shkak se kishin qenë të pranishëm në Itali në kohën kur virusi prekur dhjetëra persona në disa qytete të vendit.
Fatmirësisht dy prej tyre kanë rezultuar negativ, ndërsa për të tretin pritet të dalin analizat gjatë ditës së sotme. /Gazeta Shneta/