Ëndrrat që përjetojmë gjatë natës mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si ndihemi në mëngjes, sugjeron një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Sleep.
Sipas hulumtimit, personat që përjetojnë ëndrra të mbushura me frikë kanë më shumë gjasa të zgjohen me humor të keq.
Ndërkaq, kur ëndrrat përfshijnë një kombinim emocionesh, si frika dhe gëzimi, gjasat për një gjendje më të qetë në mëngjes rriten ndjeshëm,
Studimi, i udhëhequr nga studiuesi Garrett Baber nga University of Kansas, analizoi raportimet e mbi 500 pjesëmarrësve lidhur me ëndrrat dhe gjendjen e tyre emocionale ditën pasuese.
Rezultatet treguan se prania e frikës në ëndrra lidhet me humor më negativ në mëngjes. Megjithatë, në rastet kur ëndrrat përfshinin një përzierje emocionesh, pjesëmarrësit kishin rreth 20% më shumë gjasa të zgjoheshin me një gjendje më të balancuar emocionale.
Studiuesit theksojnë se kompleksiteti emocional në ëndrra mund të ketë efekt mbrojtës për shëndetin mendor, duke ndihmuar në përpunimin e emocioneve. Megjithatë, ata vënë në dukje se ende nuk është e qartë se kur dhe si ndodh ky proces – gjatë ëndrrës apo më vonë gjatë ditës.
Hulumtimi sugjeron gjithashtu dallimin mes ëndrrave të këqija dhe maktheve. Ndërsa makthet janë më të rënda dhe mund të zgjojnë personin nga gjumi, ëndrrat e këqija mund të jenë pjesë e përpunimit natyral emocional të trurit.
Autorët theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar më mirë ndikimin afatgjatë të ëndrrave në gjendjen emocionale dhe shëndetin mendor.


