Gratë që marrin epidural gjatë lindjes mund të kenë më pak komplikime serioze në javët e para pas lindjes, sipas një studimi të ri të botuar në revistën “BMJ”.
Sipas hulumtuesve, përdorimi i epiduralit – një formë anestezie që ofron lehtësim të dhimbjes gjatë lindjes – mund të ulë me 35% rrezikun e komplikimeve të rënda si sulmi në zemër, dështimi i zemrës, infeksioni i gjakut dhe histerektomia, që ndonjëherë ndodhin si pasojë e lindjes, raporton Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Efekti mbrojtës është edhe më i madh te gratë me faktorë të njohur rreziku, përfshirë obezitetin, sëmundjet kronike ose lindjen e parakohshme. Në këto raste, rreziku i komplikimeve ulet deri në 50%, krahasuar me një reduktim prej 33% te gratë pa faktorë shtesë rreziku.
Ndër gratë që lindin parakohe, ulja e rrezikut arrin në 47%, duke treguar potencialin e madh të kësaj metode për përmirësimin e shëndetit të nënave.
“Inkurajimi i përdorimit të analgjezisë epidurale dhe rritja e qasjes ndaj saj për gratë në grupet me rrezik të lartë mund të jetë instrumentale në uljen e komplikimeve pas lindjes,” theksoi udhëheqësja e studimit, Dr. Rachel Kearns, anesteziologe në Universitetin Mbretëror të Glasgow në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky studim hedh dritë mbi rolet e shumanshme të epiduralit, jo vetëm si mjet për lehtësim të dhimbjes gjatë lindjes, por edhe si një masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të nënës pas saj. /Gazeta Shneta/


