Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), miratoi të premten mjekimin e parë johormonal që synon lehtësimin e afsheve të nxehta të menopauzës.
Pilula e re e quajtur Veozah (fezolinetant), është një antagonist i receptorit të neurokininës 3 (NK3).
“Ky bari funksionon duke u lidhur dhe bllokuar aktivitetet e receptorit NK3, i cili luan një rol në rregullimin e temperaturës së trupit nga truri,” shpjegoi FDA në një njoftim për shtyp të publikuar të premten, përcjell Gazeta Shneta.
Sipas FDA-së, më shumë se 80 për qind e grave në menopauzë përjetojnë afshe të nxehta të papritura, shpesh dobësuese, që zgjasin disa minuta, të cilat mund të shoqërohen me djersitje, skuqje dhe të dridhura.
Ndërsa terapia e zëvendësimit të hormoneve me bazë estrogjeni është përdorur prej kohësh për të ndihmuar në lehtësimin e këtyre simptomave, përdorimi afatgjatë është lidhur me një rrezik të shtuar për kancerin e gjirit dhe goditjen në tru.
Për më tepër, terapitë hormonale janë kundërindikuar tek gratë me një histori gjakderdhjeje vaginale, goditje në tru, sulm në zemër, mpiksje gjaku ose sëmundje të mëlçisë. /Gazeta Shneta/