Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është dërguar në Emergjencën Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, duke u gjendur në gjendje të rënduar shëndetësore dhe psikologjike.
“Fëmija është nën trajtim intensiv dhe monitorim të vazhdueshëm. Janë kryer të gjitha ekzaminimet laboratorike dhe imazherike, dhe ai po merr kujdes multidisiplinar nga kirurgu vaskular, kirurgu plastik, ortopedi, si dhe nga psikologu dhe psikiatri i fëmijëve,” tha Mirlinda Qyqalla, zëdhënëse e QKUK-së.
Sipas QKUK-së, menjëherë pas pranimit, fëmija është hospitalizuar në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik për trajtim dhe monitorim të mëtejshëm.
Gjendja e tij është e ndjekur nga stafi mjekësor dhe punëtorët socialë, shkruan Gazeta Shneta.
“Duke pasur parasysh situatën, organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, janë njoftuar sipas procedurave ligjore për mbrojtjen e fëmijëve. Aktualisht, fëmija ndodhet pa prindër ose kujdestar ligjor dhe është nën mbikëqyrje të vazhdueshme,” shtoi Qyqalla.
Kujtojmë që, Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se një i mitur është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë për shkak të gjendjes jo të mirë.
Rasti ka ndodhur në Lipjan, ndërsa janë arrestuar prindërit e tij për shkak të shkeljes së detyrimeve familjare.
“Është raportuar se është sjellë në QKUK- Prishtinë viktima mashkull kosovar i mitur, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë, për shkak të mos trajtimit nga ana e prindërve të tij”, thuhet në raport./Gazeta Shneta/




