Një studim i ri tregon se një dozë e vetme e vaksinës kundër fruthit ka deri në 2.6 herë më shumë gjasa të mos funksionojë tek foshnjat e lindura me prerje cezariane, krahasuar me ato të lindura në mënyrë vaginale.
Sipas studimit, sistemi i tyre imunitar shpesh nuk prodhon antitrupa të mjaftueshëm për të luftuar infeksionin, shkruan Health Day, përcjell Gazeta Shneta.
Megjithatë, një dozë e dytë pasuese shkakton një imunitet të fortë kundër fruthit, raportojnë studiuesit më 13 maj në revistën “Nature Microbiology”.
Henrik Salje, bashkëautor i studimit dhe lektor në Universitetin e Kembrixhit, thekson se mënyra e lindjes ka pasoja afatgjata për imunitetin ndaj sëmundjeve.
Fruthi është shumë infektiv, dhe edhe nivelet e ulëta të dështimit të vaksinës mund të rrisin rrezikun e shpërthimeve.
Para vitit 1963, kur u prezantua vaksina, fruthi shkaktonte rreth 2.6 milionë vdekje çdo vit dhe mund të çojë në komplikime serioze si verbëri, konvulsione dhe vdekje.
Studiuesit besojnë se shkalla e lartë e dështimit tek foshnjat me prerje cezariane lidhet me mikrobet e zorrëve, të cilat transmetohen më pak gjatë lindjes kirurgjikale.
Lindja vaginale transferon një larmi më të madhe mikrobesh nga nëna, që ndihmon sistemin imunitar të foshnjës. Prandaj, fëmijëve të lindur me prerje cezariane u nevojitet doza e dytë për të siguruar mbrojtje efektive.
Rreth 32% e foshnjave në SHBA lindin përmes prerjes cezariane, sipas burimit March of Dimes. /Gazeta Shneta/


