Është normale që gratë të ndihen të shqetësuara për shtatzëninë dhe lindjen. Frika nga dhimbjet, ndërhyrjet mjekësore dhe pasiguria e procesit janë përvoja të zakonshme.
Por për disa gra, kjo frikë shndërrohet në tokofobi – një gjendje e rëndë që ndikon në jetën e përditshme dhe errëson përjetimin e shtatzënisë. Tokofobia shpesh shoqërohet edhe me neveri ndaj shtatzënisë dhe ndahet në dy lloje: parësore, që shfaqet tek gratë që nuk kanë lindur më parë, dhe dytësore, tek ato që kanë përjetuar një lindje traumatike, shkruan The Conversation transmeton Gazeta Shneta.
Tokofobia parësore shpesh lidhet me përvoja të mëparshme traumatike, si abuzimi seksual, ose me dëgjimin e tregimeve të frikshme dhe shikimin e përmbajtjeve që e paraqesin lindjen si të rrezikshme. Ndërsa tek tokofobia dytësore, frika lind pas një lindjeje të vështirë që ka lënë pasoja emocionale.
Studimet tregojnë se nga 2.5% deri në 14% e grave preken nga kjo gjendje, ndërsa disa të dhëna sugjerojnë se përqindja mund të arrijë deri në 22%.
Lajmi i mirë është se ndihma ekziston. Bisedat me profesionistë shëndetësorë, vizitat në maternitet dhe ndarja e përvojave mund të jenë shumë lehtësuese. Është thelbësore të ofrohet mbështetje dhe trajtim për të parandaluar ndikimin e tokofobisë tek gratë dhe familjet e tyre. /Gazeta Shneta/


