Futbollistet mund të përjetojnë lëndime më të rënda dhe periudha më të gjata rikuperimi nëse lëndohen gjatë menstruacioneve, sipas një studimi të ri.
Hulumtimi tregon se lojtaret që u dëmtuan gjatë ciklit menstrual patën pasoja më të rënda dhe humbën më shumë ditë stërvitjeje dhe loje krahasuar me dëmtimet e ndodhura në faza të tjera të ciklit, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Gjetjet, të publikuara në revistën “Frontiers in Sports and Active Living”, tregojnë se edhe pse menstruacionet nuk rrisin rrezikun për t’u lënduar, ato lidhen me pasoja më të rënda kur dëmtimi ndodh.
Studiuesit ndoqën lojtaret e ekipit të femrave të FC Barcelona gjatë katër sezoneve, nga viti 2019 deri në 2023, gjatë pjesëmarrjes së tyre në ligën profesioniste spanjolle.
Autorja kryesore e studimit, Eva Ferrer, specialiste e mjekësisë sportive dhe shëndetit të grave, shpjegoi se dëmtimet e ndodhura gjatë menstruacioneve çuan në tri herë më shumë ditë mungesë për shkak të rikuperimit.
Për shembull, dëmtimet e indeve të buta si muskujt, tendinat dhe ligamentet kërkuan mbi tre herë më shumë kohë rikuperimi gjatë ditëve të gjakderdhjes krahasuar me ditët pa menstruacione.
Cikli menstrual ndikon në trup përmes luhatjeve hormonale që prekin muskujt, metabolizmin dhe sistemin imunitar.
Nivelet e ulëta të estrogjenit mund të ngadalësojnë riparimin muskulor, të rrisin lodhjen dhe dhimbjen, ndërsa humbja e hekurit mund të ulë qëndrueshmërinë.
Studime të tjera, përfshirë një të financuar nga FIFA, po hetojnë më tej ndikimin e hormoneve në rrezikun e dëmtimeve te futbollistet. /Gazeta Shneta/


