Një shëtitje 20-minutëshe në park ose në një zonë të gjelbër mund të sjellë përfitime të menjëhershme për shëndetin fizik dhe mendor. Sipas studiuesve, qëndrimi në natyrë ul hormonet e stresit, ndihmon në rregullimin e tensionit të gjakut, përmirëson funksionimin e sistemit imunitar dhe mund të ndikojë pozitivisht edhe në shëndetin e zorrëve.
Kur shohim pemë, dëgjojmë cicërimat e zogjve ose ndiejmë aromën e pyllit, sistemi nervor autonom aktivizon mekanizma natyrorë relaksimi.
Si rezultat, zemra rreh më ngadalë, rritet variabiliteti i ritmit të saj dhe tensioni i gjakut bie. Një studim britanik me afro 20 mijë pjesëmarrës tregoi se personat që kalonin të paktën 120 minuta në javë në hapësira të gjelbra raportonin shëndet më të mirë dhe mirëqenie më të lartë psikologjike, shkruan BBC transmeton Gazeta Shneta.
Natyra ndikon edhe te hormonet. Kalimi i kohës jashtë ul nivelet e kortizolit dhe adrenalinës, hormonet që rriten gjatë stresit.
Një studim zbuloi se personat që thithnin aromën e selvisë japoneze (Hinoki) kishin ulje të adrenalinës dhe rritje të qelizave natyrore vrasëse (NK), të cilat ndihmojnë organizmin të luftojë viruset. Ky efekt vazhdonte edhe dy javë më vonë.
Edhe aroma e natyrës luan rol të rëndësishëm. Përbërësit natyrorë që çlirohen nga pemët dhe toka mund të përthithen në organizëm përmes frymëmarrjes.
Aroma e pishës, për shembull, është lidhur me ulje të shpejtë të stresit, ndërsa disa aroma kanë treguar efekt qetësues edhe te foshnjat.
Përfitimet nuk kufizohen vetëm jashtë shtëpisë.
Lulet, bimët, vajrat esencialë ose edhe një pamje e gjelbër nga dritarja apo fotografitë e natyrës mund të nxisin ndryshime pozitive në aktivitetin e trurit dhe të ulin stresin.
Sipas ekspertëve, çdo kontakt me natyrën, sado i vogël, mund të kontribuojë në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies. /Gazeta Shneta/


