Fjetja më pak se gjashtë orë ose më shumë se tetë orë në natë mund të lidhet me plakje më të shpejtë biologjike të trupit, sugjeron një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Nature.
Studiuesit analizuan të dhënat e afro gjysmë milioni personave në Mbretëria e Bashkuar për të kuptuar ndikimin e gjumit në plakjen e organeve të ndryshme të trupit.
Përmes përdorimit të teknologjive të avancuara dhe inteligjencës artificiale, ekipi shkencor vlerësoi plakjen biologjike të 17 sistemeve të organizmit, përfshirë trurin, zemrën, mushkëritë, mëlçinë dhe sistemin imunitar.
Sipas rezultateve, personat që flinin më pak se gjashtë orë ose më shumë se tetë orë gjatë natës shfaqnin shenja të plakjes më të shpejtë në disa organe.
Ndërkaq, modelet më të shëndetshme të plakjes u vërejtën te personat që flinin mesatarisht nga 6.4 deri në 7.8 orë në natë.
Autori kryesor i studimit, Junhao Wen, tha se gjumi luan rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit të organeve dhe balancës metabolike të organizmit.
Studimi gjithashtu lidh gjumin e pamjaftueshëm me rritjen e rrezikut për depresion, ankth, obezitet, diabet të tipit 2, tension të lartë të gjakut dhe sëmundje të zemrës.
Ndërsa si gjumi i shkurtër ashtu edhe ai i tepërt u shoqëruan me probleme të mushkërive, përfshirë astmën dhe sëmundjen kronike obstruktive pulmonare, si dhe me çrregullime të sistemit tretës si gastriti dhe refluksi acidik.
Sipas studiuesve, gjetjet tregojnë se gjumi nuk ndikon vetëm në energjinë dhe funksionimin e trurit, por ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në shëndetin e përgjithshëm të organizmit.


