Në Japoni, më shumë se 18 mijë të moshuar me demencë u larguan nga shtëpitë e tyre dhe u shpallën të zhdukur vitin e kaluar, ndërsa rreth 500 prej tyre u gjetën të vdekur.
Autoritetet japoneze thonë se këto raste janë dyfishuar që nga viti 2012, në një kohë kur personat mbi 65 vjeç përbëjnë pothuajse 30% të popullsisë.
Qeveria paralajmëron se kostot e kujdesit për demencën mund të arrijnë deri në 14 trilionë jen (rreth 77 miliardë euro) deri në vitin 2030 dhe po i drejtohet teknologjisë për të përballuar krizën.
Në shumë qytete po përdoren pajisje GPS dhe sisteme komunitare që ndihmojnë në gjetjen e personave të humbur brenda pak orësh.
Ndërkohë, kompani dhe universitete po zhvillojnë robotë dhe mjete AI që zbulojnë shenjat e hershme të demencës dhe ndihmojnë në kujdesin ditor. Ekspertët theksojnë se teknologjia duhet të plotësojë, e jo të zëvendësojë lidhjen njerëzore, e cila mbetet thelbësore për mirëqenien e të moshuarve.
Studimet e fundit nxjerrin në pah faktorë të rinj që ndikojnë në zhvillimin e demencës. Një hulumtim i botuar në revistën Nature Communications tregon se njerëzit që flenë gjashtë orë ose më pak në moshën 50–60 vjeç kanë rrezik më të lartë për demencë krahasuar me ata që flenë shtatë orë gjatë natës. Hulumtimi u realizua mbi gati 8 mijë persona gjatë një periudhe 25-vjeçare.
Një tjetër studim nga Qendra për Plakje të Shëndetshme të Trurit (CHeBA) në Universitetin “New South Wales” në Sidnej, i botuar në The Lancet Healthy Longevity, thekson rëndësinë e “kohës personale”. Sipas studiuesve, personat që nuk kanë mjaftueshëm kohë për t’u kujdesur për veten janë në rrezik më të madh për rënie njohëse, pothuajse njësoj si mungesa e ushqimit apo aktivitetit fizik.
Autorët identifikojnë “pabarazinë kohore” – shpërndarjen e pabarabartë të kohës ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore – si një faktor të rëndësishëm për shëndetin e trurit dhe uljen e rrezikut nga demenca.


