Gjumi në mesditë përgjatë shtatzënisë lidhet veçanërisht me peshën e foshnjës në lindje dhe ul ndjeshëm rrezikun e lindjes nënpeshë.
Studiuesit në Kinë, analizuan të dhënat nga 10000 gra të përfshira në studimin “Healthy Baby Cohort” i cili vazhdon ende të zhvillohet. Pjesë e studimit ishin edhe zakonet e gjumit të grave në shtatzëni.
Krahasuar me gratë që nuk e kishin zakon të dremisnin gjatë ditës, gratë që flinin rreth 1 orë çdo pasdite kishin shumë më pak mundësi të lindnin një bebe me peshë nën 3 kg. Edhe gratë që flinin vetëm 30 minuta çdo pasdite kishin një rrezik më të reduktuar për të lindur një bebe nënpeshë, megjithëse jo aq sa gratë që flinin 1 orë.
“Në dijeninë tonë ky është studimi i parë i cili ka arritur të bëj lidhjen ndërmjet zakoneve të gjumit që ka nëna me peshën e lindjes së bebit”, thanë studiuesit. “Studimi ynë sugjeron se një dremitje rreth një orë çdo pasdite e ul ndjeshëm mundësinë e lindjes së një bebi nënpeshë” u shprehën ata.
Sigurisht që ka dhe shumë faktor të tjerë që lidhen me peshën e lindjes së foshnjës, dhe një prej tyre është dhe dieta e shëndetshme e nënës, megjithatë tani e gjetëm “justifikimin” e përkryer për të pushuar pak çdo pasdite./pernenat.al/