Greqia ka ulur ndjeshëm kohën e pritjes në shërbimet e urgjencës në spitalet publike, falë zbatimit të një sistemi të ri elektronik që përdor byzylykë me kode QR për gjurmimin dhe përparësimin e pacientëve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, programi ka përmirësuar ndjeshëm funksionimin e urgjencave në 10 spitalet ku është zbatuar deri tani, ndërsa autoritetet planifikojnë ta zgjerojnë atë edhe në institucione të tjera shëndetësore në muajt në vijim, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Kur pacientët paraqiten në urgjencë, ata pajisen me një byzylyk ose rrip dore që përmban një kod QR, i cili përdoret në çdo fazë të shërbimit mjekësor.
Përmes këtij sistemi, spitalet vlerësojnë ashpërsinë e gjendjes shëndetësore dhe u japin përparësi rasteve më urgjente. Duke skanuar kodin QR, pacientët mund të shohin sa persona janë para tyre në radhë dhe sa pritet të zgjasë pritja.
Spitali i Përgjithshëm “Evangelismos” në Athinë ishte i pari që e zbatoi sistemin në maj, duke ulur kohën e pritjes nga nëntë orë në pak më shumë se pesë orë. Rastet kërcënuese për jetën trajtohen menjëherë.
Ndërkohë, Spitali i Fëmijëve “Aghia Sophia” regjistroi kohën më të shkurtër të pritjes, rreth dy orë.
Mesatarisht, koha e shërbimit në 10 spitalet e përfshira është katër orë. Nga mesi i majit deri në mesin e korrikut, mbi 44,000 pacientë janë trajtuar përmes këtij sistemi. Pritjet më të shkurtra janë regjistruar në radiologji (15 minuta), pasuar nga kirurgjia dhe kardiologjia (rreth një orë), si dhe patologjia (më pak se dy orë).
Autoritetet planifikojnë zgjerimin e sistemit në 100 spitale deri në shkurt 2026, ndërsa pranojnë se rreth 30% e vizitave në urgjencë lidhen me mungesën e një sistemi të plotë të kujdesit parësor. /Gazeta Shneta/



