Spanja ka përjetuar qershorin e dytë më të nxehtë që nga fillimi i matjeve meteorologjike në vitin 1961, ndërsa temperaturat ekstreme gjatë muajit vlerësohet se kanë shkaktuar 892 viktima, sipas të dhënave paraprake të sistemit të monitorimit të vdekshmërisë MoMo.
Sipas Agjencisë Shtetërore Meteorologjike të Spanjës (Aemet), temperatura mesatare në territorin kontinental arriti në 23.2 gradë Celsius, ose 3.2 gradë mbi mesataren e periudhës 1991–2020. Më i nxehtë se qershori i këtij viti ka qenë vetëm ai i vitit 2025, kur temperatura mesatare ishte 23.6 gradë Celsius.
Vala e të nxehtit, e cila goditi vendin në fund të muajit, theu disa rekorde historike. Më 22 dhe 23 qershor u regjistruan dy ditët më të nxehta të këtij muaji që nga të paktën viti 1950. S
ipas Aemet, kjo valë ishte e jashtëzakonshme për intensitetin, kohëzgjatjen dhe shtrirjen e saj, veçanërisht në pjesën veriore të vendit.
Pasojat u reflektuan edhe në shëndetin publik. Sistemi MoMo vlerëson se mbi 600 nga 892 vdekjet e lidhura me temperaturat e larta ndodhën vetëm gjatë javës së valës së të nxehtit.
MoMo nuk numëron drejtpërdrejt vdekjet e certifikuara si pasojë e temperaturave të larta, por llogarit vdekshmërinë e tepërt duke krahasuar numrin e vdekjeve të regjistruara me atë që pritet normalisht për periudha të caktuara dhe e lidh atë me episodet e motit ekstrem.
Ekspertët paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, më intensive dhe po nisin më herët gjatë vitit. Të dhënat e Aemet tregojnë se nga viti 1975 deri në vitin 2000 janë regjistruar vetëm dy valë të të nxehtit në muajin qershor, ndërsa nga viti 2000 deri në vitin 2025 numri i tyre është rritur në dhjetë.


