Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se gjatë javëve të fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e rasteve me grip dhe infeksione respiratore, duke rritur edhe numrin e qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore dhe hospitalizim.
Sipas IKSHPK-së, situata kërkon kujdes të shtuar, veçanërisht në prag të intensifikimit të sezonës së gripit gjatë muajve në vijim.
Në këtë kontekst, qytetarët ftohen të vaksinohen kundër gripit sezonal, e cila konsiderohet masa më efektive për parandalimin e sëmundjes dhe komplikimeve të saj.
Nga instituti bëhet e ditur se, edhe pse sezona e gripit ka filluar, vaksinimi mbetet ende i dobishëm dhe i rekomandueshëm, pasi ndihmon në uljen e rrezikut për forma të rënda të sëmundjes.
Vaksinimi është veçanërisht i rëndësishëm për grupet më të rrezikuara, përfshirë të moshuarit, fëmijët, personat me sëmundje kronike, por edhe për të gjithë qytetarët nga mosha 6 muaj e lart që dëshirojnë të mbrohen nga gripi dhe pasojat e tij./Gazeta Shneta/



