Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se në Kosovë nuk është regjistruar asnjë rast i konfirmuar me virusin Ebola dhe se aktualisht nuk ka dëshmi për transmetim lokal të sëmundjes. Sipas institutit, rreziku për popullatën mbetet shumë i ulët.
Megjithatë, për shkak të shpërthimit të sëmundjes në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë, IKShPK ka publikuar rekomandime për qytetarët që udhëtojnë drejt këtyre vendeve ose kthehen prej tyre, transmeton Gazeta Shneta.
Për udhëtarët që planifikojnë të vizitojnë Republikën Demokratike të Kongos ose Ugandën, rekomandohet informimi paraprak për situatën epidemiologjike dhe respektimi i masave mbrojtëse. Këto përfshijnë shmangien e kontaktit me gjakun, lëngjet trupore dhe materialet e kontaminuara nga persona të infektuar ose të vdekur nga Ebola, ruajtjen e higjienës së rregullt të duarve, shmangien e kontaktit me kafshët e egra dhe konsumimin e mishit të tyre, si dhe shmangien e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura. Po ashtu, këshillohet të shmanget hyrja në shpella, miniera dhe vende ku jetojnë lakuriqët e natës.
IKShPK thekson se rreziku i infektimit rritet në rast të hospitalizimit në zonat e prekura, për shkak të mundësisë së ekspozimit ndaj sekrecioneve infektive të pacientëve me Ebola.
Për personat që kthehen nga zonat e prekura, rekomandohet monitorimi i gjendjes shëndetësore për 21 ditë, që është periudha maksimale e inkubacionit të sëmundjes. Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet simptomave si temperatura, lodhja e rëndë, dhimbjet e kokës dhe muskujve, të vjellat, barkqitja, si dhe gjakderdhjet ose shenjat hemorragjike.
Në rast se shfaqet ndonjë nga këto simptoma gjatë periudhës së monitorimit, personi duhet të shmangë kontaktin me të tjerët, të kontaktojë shërbimet shëndetësore dhe të informojë për historikun e udhëtimit dhe çdo ekspozim të mundshëm.
Sipas informacioneve të publikuara nga IKSHPK, nga fillimi i majit deri më 1 qershor 2026 në Republikën Demokratike të Kongos janë raportuar 321 raste të konfirmuara me Ebola, përfshirë 48 viktima, si dhe 116 raste të dyshuara. Në Ugandë janë konfirmuar 15 raste, mes tyre një rast me fatalitet.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur situatën emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik, ndërsa Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e ka klasifikuar atë si emergjencë kontinentale. Ndërkohë, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, rreziku për vendet e Bashkimit Evropian dhe Zonës Ekonomike Evropiane mbetet shumë i ulët. /Gazeta Shneta/



