Klinika Infektive sërish ka mbetur pa drejtor, pasi ushtruesi i detyrës Dr. Izet Sadiku ka dhënë dorëheqje.
Klinika Infektive në QKUK ka mbetur pa drejtor tash e tri javë, pasi ushtruesi i detyrës i emëruar para tre muajsh, tani ka dhënë dorëheqje, shkruan Gazeta Shneta.
“Kam dhënë dorëheqje tash e tri javë për arsye personale. Unë e kam marrë klinikën në kohën kur ka pas shumë raste me COVID-19 për shkak se ka qenë pa drejtor, tash kam dhënë dorëheqje sepse ka qenë për një periudhë kalimtare”, ka deklaruar Sadiku për Telegrafin.
Klinika Infektive kishte mbetur pa drejtor për disa javë pas dorëheqjes së ish-drejtoreshës Lindita Ajazi Berisha. Sadiku kishte pranuar të merrte këtë pozitë, pasi asnjë nga infektologët tjerë nuk pranonte të merrte drejtimin e klinikës.
Por kjo situatë e njëjtë po ndodh sërish pasi klinika tanimë ka mbetur pa udhëheqje që tre javë.
Asnjë nga infektologët me përvojë më të gjatë në klinikë, nuk kanë pranuar të emërohen në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit. /Gazeta Shneta/