Në Klinikën e Urologjisë në QKUK, është dyshuar për pesë punëtorë të kësaj klinike të infektuar me sëmundjen e tuberkulozit, ka raportuar Gazeta Insajderi. Mirëpo ShSKUK-ja ka demantuar një lajm të tillë.
Pesë punëtorë të Klinikës së Urologjisë janë infektuar me sëmundjen e tuberkulozit, ka raportuar Gazeta Insajderi.
Njëri nga të infektuarit i ka thënë Insajderit në kushte anonimiteti se dyshohet edhe për disa punëtorë të tjerë të stafit që janë infektuar, por që të tjerët ende nuk i kanë kryer kontrollet e nevojshme.
Shqetësimi i tij është që nga menaxhmenti po mbahet e fshehur një gjë e tillë dhe se edhe të infektuarit po detyrohen të dalin në vend të punës.
“Deri më tani janë pesë punëtorë që jemi infektuar me tuberkuloz. Shumë kolegë të tjerë nuk i kanë bërë analizat dhe kontrollet e nevojshme se ka mundësi që numri i të infektuarëve mund të jetë edhe më i madh”, ka thënë ky punëtor në kushte anonimiteti.
Tutje, ai shton se është e rrezikshme mënyra se si menaxhmenti po e mban sekret një gjë të tillë.
“Nuk po kanë dëshirë që me u bë e ditur. Menaxhmenti po na detyron të dalim në punë me çdo kusht. Bile as nuk po lejon që të bëhen analiza edhe tek punëtorët tjerë”.
Derisa, më shqetësuese për të është rreziku për bartjen e virusit tek pacientët që janë të shtrirë në Klinikën e Urologjisë.
“Rreziku më i madh është që virusin ua bartim pacientëve. Edhe është gjynah që për shkak tonin me marr virusin ata, kur dihet që të gjithë pacientët kanë probleme mjekësore, përderisa janë të shtrirë në spital“.
Insajderi ka biseduar të hënën në telefon me drejtorin e Klinikës së Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare, Petrit Nuraj.
Ai nuk e ka mohuar e as pohuar infektimin e pesë vartësve të tij, por që ka kërkuar nga gazetari që për një gjë të tillë të kontaktojnë zyrën për media të SHSKUK-së.
“Dërgoni pyetje në SHSKUK. Ata na përcjellin neve”, i ka thënë Nuraj – Insajderit para se ta mbyll telefonin.
Mirëpo, ani se kanë kaluar më shumë se 24 orë nga dërgimi i pyetjes, Insajderi ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga SHSKUK e as nga drejtori Petrit Nuraj.
Megjithatë në këto minuta, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), përkatësisht Klinika e Urologjisë, sqaron se informatat që po qarkullojnë në medie në lidhje me “infektimin e stafit me Tuberkuloz”, janë të pavërteta.
“Për hirë të korrektësisë dhe informimit të drejtë të publikut, Klinika e Urologjisë, sqaron se asnjë nga infermierët e Klinikës së Urologjisë, nuk është i vërtetuar si infektuar me tuberkuloz bartës. Në Klinikën e Pulmologjisë, është e shtrirë dhe e verifikuar vetëm një infermiere me TBC të pleurës, që është jo bartës tek të tjerët”, ka theksuar në një komunikatë ShSKUK-ja.
“Poashtu, sqarojmë se punëtorët e Klinikës së Urologjisë nuk punojnë me pacientë që janë të infektuar me tuberkuloz. Klinika e Urologjisë, bashkë me atë të Pulmologjisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe koordinatoren nacionale kundër TBC, në nivel të Ministrisë së Shëndetësisë, ka bërë testimin e mbi 80% stafit të Klinikës së Urologjisë dhe ende nuk ka të vërtetuar ndonjë rast me TBC, që bartet tek stafi dhe pacientët”, ka thënë ShSKUK-ja.