Infermierët që u punësuan me projektin emergjent gjatë pandemisë, nuk iu është vazhduar kontrata nga Ministria e Shëndetësisë.
Rreth 360 infermierë që u punësuan nga Ministria e Shëndetësisë përmes një kredie nga Banka Botërore, nuk do të vazhdojnë të punojnë më në spitale, shkruan Gazeta Shneta.
MSH i ka njoftuar ata para disa ditësh se kontratat e tyre nuk do të vazhdohen për shkak të mungesës së buxhetit.
Por këtë arsyetim nuk po e pranojnë këta punonjës shëndetësorë, për çka kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë.
Një protestë tjetër ata e kanë mbajtur edhe të premten në QKUK. Infermierët po kërkojnë t’iu vazhdohen kontratat duke thënë se kanë kontribuar në kohën më të vështirë për shëndetësinë në Kosovë.
MSh në një sqarim për media të premten ka deklaruar se kontratat e infermierëve nuk do të zgjaten për shkak se në Projektin e Shëndetësisë Kosovare nuk është alokuar buxhet për këtë qëllim. Poashtu MSH është arsyetuar edhe më rënien e numrit të pacientëve në spitale. /Gazeta Shneta/