Infermieri i Qendrës Klinike Universitare Enlirat Duraku, ka hyrë në ditën e 14-të të grevës së urisë.
Enlirat Duraku është një nga infermierët e parë vullnetarë të cilët kanë ndihmuar kolegët e tyre në Klinikën Infektive në QKUK në fillim të pandemisë, shkruan Gazeta Shneta.
Duraku edhe tani punon me pacientë me Covid në klinikën e Reumatologjisë ku është kryeinfermier i njësisë Covid 3. Ndonëse ka vazhduar punën deri më sot, ai ka dy javë që nuk ka ngrënë ushqime pasi është në grevë të urisë si shenjë proteste për kushtet e infermierëve.
Greva ia ka rënduar gjendjen shëndetësore, por përveç kësaj, ai sot ka rezultuar pozitiv edhe në testin për Covid-19.
Por infermieri nuk e ka ndërmend të trajtohet as me terapi për Covid. Ky refuzim vjen nga vendimi i tij për të mbajtur grevën e urisë, deri në plotësimin e kërkesave të tij.
“Nuk do të pranoj të trajtohem as me terapi për Covid deri sa të plotësohen kërkesat e mia”, ka deklaruar ai.
Duraku është edhe sekretar në Sindikatën e Infermierëve. Kërkesat e tij janë për dyfishimin e pagesës së ndërrimeve të natës nga 18 në 36 euro për infermierët, pagesën e rrezikshmërisë në punë, si dhe pagesën e orëve shtesë dhe punën gjatë vikendeve.
Deri më tani kërkesat e tij i kanë dëgjuar ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi. Por asnjë përgjigje prej tyre nuk ka marr ende.
Duraku ka kërkuar takim edhe me kryeministrit Avdullah Hoti për të diskutuar kërkesat e tij, por nuk ka marr ende asnjë përgjigje pozitive.