Muaji tetor njihet si muaj i sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë prej sëmundjeve kanceroze te gratë. Njëkohësisht është shkaktari më i shpeshtë i vdekjes te gratë e moshës 45-55 vjeç.
Lidhur me këtë sëmundje Gazeta Shneta ka realizuar një intervistë me onkologen Brunilda Haxhiu, e cila ka treguar për simptomat, trajtimin, rrezikun e përsëritjes e kancerit të gjirit, shkruan Gazeta Shneta.
Onkologia Haxhiu ka treguar disa nga simptomat të cilat paralajmërojnë sëmundjen e kancerit të gjirit duke filluar nga prekja e një kokrre në gji e deri te plagët e hapura.
Për fat gjiri është një organ i jashtëm i trupit ku mund të vërehen lehtësisht ndryshimet. Simptomat kanë një spektër të gjerë të manifestimeve, duke filluar nga prekja e një kokrre në gji që nuk ka qenë më herët apo prekja e një kokrre nën sqetull, retraktimi i mamilës (futja brenda e kokës së gjirit), rrjedhja gjak nga gjiri që në fakt vjen nga ulcerimi i tumorit, skuqje lokale e lëkurës e cila njihet dhe si fenomeni lëkura e portokallit, asimetria e gjinjve, në raste shumë të avancuara ulcerime të lëkurës dhe plagë të hapura. Të gjitha këto janë shenja që të vënë në alarm për t’u paraqitur menjëherë te mjeku specialist, – ka thënë Haxhiu.
Po ashtu dr. Brunilda tregoi se jo të gjitha gjëndrat paralajmërojnë rrezikun e kancerit të gjirit. Që të sigurohemi që kjo nuk është simptomë atëherë bëhen ekzaminimet përkatëse.
Por mos të harrojmë që jo cdo gjendër në gji është detyrimisht kancer sepse gjiri ka dhe patologji beninje. Para se të dalim në këtë konkluzion vlerësojmë një sërë faktorësh, kryejmë ekzaminimet përkatëse dhe e fundit që konfirmon ose përjashton patologjinë malinje është biopsia e gjendrës që prekim, – ka shtuar Haxhiu.
Onkologia ka treguar edhe periudhën e zhvillimit të kësaj sëmundje. Ajo ka sqaruar se duhet shumë kohë që një qelizë e dëmtuar të ndahet të rritet e të formujë një tumor.
Të gjitha kanceret e kanë zanafillen në qeliza. Trupat tanë janë të përbërë nga më shumë se njëqind milionë qeliza. Kanceri fillon me ndryshimet në një ose në një grup të vogël qelizash. Ndonjëherë ndodh një ndryshim në gjene kur një qelizë ndahet dhe ky është quhet mutacion. Kjo do të thotë se një gjen është dëmtuar, ose ka humbur ose eshte kopjuar shumë herë. Disa mutacione nënkuptojnë se qeliza nuk i kupton më komandat e saj.
Mutacionet mund të ndodhin rastësisht gjate ndarjes qelizore por mund të shkaktohen edhe nga proceset jetësore brenda qelizës. Ose nga sinajalet që vijnë nga jashtë trupit, të tilla si kimikatet në tymin e duhanit, agjente te ndotjes, viruse, rrezatimet etj. Disa njerëz mund të trashëgojnë të meta në gjene të veçanta që i bëjnë ata më të prirur për të zhvilluar një kancer. Por do të duhen shumë vite që një qelizë e dëmtuar të ndahet e të rritet dhe të formojë një tumor aq të madh sa të shkaktojë simptoma ose të jenë te dukshme në imazheri,- shtoi dr. Brunilda.
Sa i përket trajtimit dr. Brunilda shtoi se trajtimi është shumë më i lehtë në stadën fillestare duke filluar nga ana psiko-sociale e deri në atë ekonomike. Andaj dhe duhet të bëhen ekzaminime periodike që të shmanget avancimi i sëmundjes pasi edhe trajtimi është i gjatë, i vështirë dhe nuk është i sigurt.
Kanceri i gjirit është në krye të listës sa u takon shkaktarëve që çojnë në humbjen e jetës te femrat. Personalisht, mendoj që gratë kanë informacionin e mjaftueshëm, por është frika ajo që prevalon. Duke pasur frikë, ato neglizhojnë kontrollet periodike që janë të rëndësishme për diagnostikimin e hershëm. Kjo bën që ato të paraqiten në faza shumë të avancuara. Në këto stade dhe trajtimi është më i vështirë, më i gjatë dhe shpesh herë suksesi vihet në pikëpyetje. Në zemër të fushatave për vetëdijësim gjatë muajit tetor fokusi është në bërjën e ekzaminimeve të rregullta pasi zbulimi i hershem shpëton jetë. Kjo do të thotë që trajtimi në stadet fillestare është më i lehtë për pacienten, me i përballueshem nga ana psiko- sociale për të dhe familjen dhe së fundmi kostot financiare do i kushtojnë me pak buxhetit të shtetit duke u përkthyer në shëndet e mireqenie,- shtoi ajo.
Dr. Haxhiu foli edhe për rrezikun e rikthimit të kësaj sëmundje. Ajo tregoi se rikthimi varet nga faktorët prognostikë dhe predikative. Pacientët këshillohen për kontrolla peridoike të cilat përcaktohen nga stadi i sëmundjes.
Gjithmone ekziston frika e rikthimit te sëmundjes te pacientet e prekura. Rikthimi i sëmundjes varet nga disa faktorë prognostike dhe prediktive qe përcaktohen nëpërmjet patologjisë si dhe nga kujdesi qe do tregojnë pacientet ne stilin e jetës se tyre. Sipas protokolleve qe ne i referohemi ndjekja ose Folloë – Up rekomandohet per 5 vite pas diagnostikimit. Pacientet këshillohen te vijnë ne kontrolle periodike qe përcaktohen nga stadi i sëmundjes dhe qe varion cdo 4-6 muaj per tre vitet e para. Mandej nje here ne vit per gjate dy viteve pasardhëse,- dha detaje dr. Haxhiu.
Në fund onkologia Haxhiu ka ndarë disa këshilla për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.
Çdo grua e prekur nga kanceri i gjirit i ndryshon përceptimi për jetën. Në momentet e para “të shembet tavani mbi kokë” por me kalimin e kohës ato kuptojnë që nuk kanë zgjidhje përpos të luftojnë për të fituar betejën me kancerin. Sa kam kuptuar ato bëhen me të forta, më të sigurta dhe dhimbjen e kanë kthyer në forcë. Madje disa prej tyre janë në krye të shoqatave jo qeveritare që nëpërmjet donacioneve mbështesin gratë e prekura nga kanceri. Do përmendja për kontributin e dhënë përgjatë shumë viteve Znj. Nafije Latifi, znj. Violeta Pirana, znj.Arnisa Osmani. E kush më mirë se ato që kanë përjetuar gjithë kalvarin e peripetive më këtë sëmundje mund të bëj më shumë për këtë popullatë të prekur nga kanceri i gjirit.
Këshilla ime për gjitha gratë është të jetë e kujdesshme për shëndetin dhe trupin e tyre. Të kenë kujdes me dieten, peshën, alkoolin dhe duhanin. Sa më shumë aktivitete fizike dhe rekreative në natyrë për të pasur një jetë cilësore.
Janë disa gjëra të thjeshta, por shumë të nevojshme që do të përkthehet në nje slogan:
“Ruaj jetën tënde dhe lufto paragjykimet”,- përfundoi dr. Haxhiu.
/Gazeta Shneta/