Ish-ministri Arben Vitia ka deklaruar se ai nuk është nën hetime, por Prokuroria po i heton procedurat e tenderëve të cilat siç ka thënë ai vet i ka dërguar në organet e hetuesisë.
“Unë nuk jam duke u hetuar nga Prokuroria”, ka thënë Vitia.
Ndonëse Prokuroria Themelore e Prishtinës dje e konfirmoi për Express se ka nisur hetime për tenderët e dyshimtë të MSH-së që u dhanë gjatë kohës kur ky dikaster udhëhiqej nga Vitia, ish-ministri thotë se organi i akuzës po i heton tenderët që vetë ai i ka dërguar atje.
“Prokuroria po merret me hetimin e procedurave të prokurimit të të gjithë tenderëve që unë i kam dërguar për hetimin në Krimet Ekonomike, Autoritetin e Konkurrencës dhe Prokurorinë e Shtetit” tha ai.
“Të gjithë tenderët në të cilët kam menduar se është keqpërdorur detyra zyrtare i kam dërguar dokumentet për hetimin e tyre në maj vitit 2020 sa isha vet ministër” shtoi Vitia.
Express raportoi dje se tenderët e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë gjatë kohës kur ajo udhëhiqej nga Arben Vitia, kanë përfunduar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, e cila ka iniciuar rast për ta hetuar procesin e dhënies së tyre.