Jeni duke u zgjuar vazhdimisht gjatë natës nga të qarat e fëmijës tuaj, ndërkohë që bashkëshorti juaj vazhdon të flejë i qetë pranë jush? Tashmë ekspertët tregojnë përse në më të shumtën e rasteve ndodh kështu.
Një studim i ndjekur nga “Riken Brain Science Institute” në Japoni në bashkëpunim me Universitetin e Trentos në Itali, ka treguar se truri grave është i programuar në mënyrë të tillë që të alarmohet në momentin që bebi fillon të qajë.
Përse ndodh kjo?
Sipas një prej ekspertëve, Gianluca Esposito, para se të arrinin në këtë përfundim i kanë vendosur burrave dhe grave stimuj të ndryshëm akustikë ndër të cilët edhe të qarat e fëmijës. Ndërkohë ata regjistronin aktivitetin e trurit të tyre me anën e një rezonance.
Në momentin që gruaja dëgjonte të qarën e fëmijës, truri do të reagonte në mënyrë të menjëhershme për t’ju përgjigjur të qarave të bebes. Kjo gjë nuk ndodh tek burrat tek të cilët e qara e fëmijës do të kishte një efekt shumë më të dobët se tek gratë. Por le të qetësohemi!
Kjo nuk do të thotë se nënat janë më të mira në rolin e tyre dhe baballarët janë më të këqij. Ka të bëjë vetëm me ndërtimin e trurit të njeriut!/pernenat.al/