Gjatë kohës së shtatzanisë sa herë që kisha ndonjë shqetësim hyja të hulumtoja në internet ndërkohe bleja libra të ndryshëm në lidhje me zhvillimin dhe kujdesin e fëmijës.
Lexoja për zhvillimin e bebes, për ushqyerjen me gji dhe me formulë, gjumin edhe gjithçka që më interesonte të dija, gjithashtu çdo nanë që e takoja i kërkoja këshilla të ndryshme në bazë të përvojës së tyre.
Kam marrë shumë këshilla, të gjitha më tregonin se çka duhet të bëja dhe çka jo duke u bazuar në gjërat që kan funksionuar për ato. Por sigurisht që disa prej tyre ishin të dobishme, dhe disa prej tyre nuk ishin.
Tash e di se me një fëmijë nuk është se jam eksperte, por nëse ju po kërkoni disa këshilla për bebin tuaj që besoj se kjo është edhe arsyeja që lexoni artikullin tim, unë kam disa këshilla për juve që do të bëheni nanë apo që po kaloni vitin e parë me bebin tuaj.
Shkruan: Jona Berisha
– Gjeni se çka funksionon për juve.
Gjatë shtatzanisë, gati se të gjithë duan të na japin këshilla. Kjo është gjë shumë e mirë sepse kur bëhemi prindër për herë të parë nuk kemi ide se çka na pret dhe çdo gjë është plotësisht e re për ne. Megjithse me kalimin e kohës e kuptojmë se neve secila ndërtojmë një stil të ndryshëm të të qenurit prindër prandaj shumë prej këshillave që na ipen mund të mos funksionojnë për ne.
Mendoj që secili duhet të gjejë se çka funksionon për të si prind dhe bebin tuaj, dhe harroni pjesën tjetër. Asnjë bebe dhe asnjë nanë nuk është e njejtë. Mos u bëni merak nëse diçka nuk shkon ashtu siç ju kan thënë. Unë siç e ceka më herët kam bërë shumë kërkime në internet edhe kam pyet shumë nëna por në njëfar mënyre gjithmonë kam përfunduar duke i bë gjërat në mënyren time, PO në mënyren time sepse nëna e din më së miri për fëmijen e vet.
– Është zgjedhja juaj. PO veç e juaja.
nëse vendos me pasë lindje natyrale apo me prerje cezariane
nëse vendos me përdor epidural apo pa epidural.
nëse vendos me ushqy me gji apo me formulë, ose kombinim i dyave.
sa gjatë me mbajtë në gji.
nëse bebi fle me juve ose jo (co-sleeping)
kur vendos me ja heq pampersin.
si dhe sa shpesh t’a ushqeni.
Këto dhe çdo vendim, i vogel apo i madh është vetëm zgjedhja juaj dhe e familes suaj. Ju mundeni me i lexu mija blogje, punime shkencore e libra për fëmijë në mënyrë që të merrni një vendim në bazë të informacioneve, por prap se prap gjithçka varet nga ju! Thjeshtë mos lejoni që dikush t’ju bëjë të ndiheni keq për zgjedhjet tuaja!
– Rrini larg Google.
Rrini larg storieve të frikshme në internet. Rrini larg kërkimit në google të krejt simptomave që janë normale kur jeni shtatzanë , dhe në vend që të kërkoni google, shtroni shqetsimet tuaja te një doktor i kualifikuar i cili mund të ju ndihmojë të u’a largojë shqetësimet tuaja. Sepse google zakonisht di të na frikësoj edhe më shumë ose duke kërkuar nga linku në link del në tema edhe më të frikshme.
– Provat dhe gabimet janë pjesë e të qenurit prind.
Shumë prindër e pranojnë këtë gjë me gatishmëri që në fillim, por ka edhe tjerë që pretendojnë se kurrë nuk kanë bërë ndonjë gabim me bebet e tyre. Ama në fakt gjithmonë funksion kështu, bebushat tonë janë pjesë e provave të shumta dhe gabimeve që bëjmë ne prindërit gjatë rritjes së tyre. Por edhe pse bëjmë gabime nuk duhet të ndihemi fajtor. Nga fëmija ynë i parë ne mësohemi të jemi prindër dhe çdo herë mësojmë nga këto gabime. Kështu është edhe për krejt të tjerët.
– Mos u shqetëso kot
E kam vërejtur se njëfarë mënyre të qenurit nanë është bërë si sport konkurrues. Që nga momenti që bëhemi prind, krahasimet fillojnë nga gjitha anët. Kjo gjë di të bëhet shqetësuese atëherë kur diçka duket se nuk është siç është përshkruar nga të tjerët. Thjeshtë MOS u shqetësoni. Në rend të parë për zgjedhjet që i bëni, për gjërat që i bëni dhe nuk i bëni me fëmijën tuaj, se si fëmija juaj duhet të jetë (dhe ndoshta nuk është), se si fëmija juaj duhet të sillet e kështu me radhë. Përderisa jeni duke bërë më të mirën tuaj dhe fëmija juaj është i gjallë dhe i shëndetshëm, ju nuk duhet t’a lodhni veten FARE për gjërat e vogla. Dhe më besoni, se krejt këto janë të parëndësishme në rrugëtimin afatgjatë.
– Nuk keni nevojë për mija gjëra.
Kur bëhemi prindër kemi dëshirë të kompletohemi dhe blejmë gati se çdo gjë që mendojmë se i duhet një bebe. Unë jam munduar ashtu! Dhe në fakt shumicën e gjërave nuk i kam përdorur. Nuk keni nevojë për një mijë gjëra për të rritur një bebe. Bebet tona do të hanë, do të zhyten, do të lahen pikrisht ashtu si çdo fëmijë tjetër që ndoshta nuk i posedona ato gjëra.
Ata do të shikojnë botën nga krahet tanë (po, sepse krahët tanë janë vendi tyre më i preferuar në botë!). Për sa kohë që keni gjëra për të mbuluar, rrobat per të mbajtur pastër dhe ngrohtë, kaloni lehtë me gjërat tjera. Është akoma më mirë që të mos bëheni shopaholik para se të keni mundësinë ta njihni fëmijën tuaj ashtu siç duhet në dy muajt e parë.
– Mos i lejoni që të puthin beben në 6 javët e para.
Jam shumë e sigurt se shumë nana kanë lexu dhe e kanë pasë këtë problem gjatë eksperiencës së tyre në vitin e parë. Vizitorët, si anëtarët e familjes dhe miqtë e ngushtë, e ndiejnë se puthja është një mënyrë për të shprehur dashurinë. Mirëpo sistemi imunitar i bebeve ende nuk është aq i fortë saqë rreziku i një infeksioni kërcënues për jetën nga një virus si herpes të jetë i papërfillshëm.
Duke u bazu në mentalitetin tonë shpesh e kemi veshtirë të ju kërkojmë këtë gjë në mënyrë të sjellshme, sepse si do që të ju thoni gati se të gjithë preken. Por megjithatë duhet të respektojmë të drejtën e fëmijës tonë për shëndet të mirë. Thjeshtë nuk mund të shqetësohemi për të qenë e sjellshme kur puthja e bebës së vogël mund të rrezikoj jetën në qoftëse ata marrin ndonjë virus.
– Injoroni punët e shtëpisë, por jo veten
Kushtojini vëmendje vetes. Jini të vetëdijshëm se depresioni pas lindjes ndodhë te shumë nana. Nëse nuk ndjeni kënaqësi që në fillim , nëse nuk jeni aq të lumtura sa mendonit se do të jeni me beben tuaj të parë, nëse nuk keni dëshirë të bisedoni me njerëz ose ndiheni të mërzitura për më shumë se dy javë, hapni mendjen, provoni të kuptoni se çka po ndodhë.
Unë e di se eshtë më e lehtë të thuhet se sa të bëhet, por duhet të provoni të përmirësoheni , duhet të mirreni sa më shumë me veten të paktën në muajt e parë. Flini me fëmijën, hani mirë dhe bëni dushe (po shumë shpesh) … çdo ditë! Me pjesën tjetër të punëve le të kujdesen të tjerët sidomos në muajt e parë pas lindjes. Prano ndihmë sa herë që ofrohet. Fokusin duhet t’a keni tek vetja dhe te nevojat e bebit të vogël.
– Kërkoni ndihmë nëse e ndjeni nevojën
Nëse ndiheni të mëzitura dhe të lodhura prej qëndrimit në shtëpi gjatë gjithë ditës me bebin e vogël, kërkoni ndihmë! Ftoni ndonjë shoqe ose një anëtar i familjes që të ju vizitojë dhe të ju ndihmojë sadopak. Në këtë mënyrë ju mund të uleni në tavolinë dhe të hani pa mbajtur bebin në duar, ose të shkoni në tualet në paqe! Është krejtësisht në rregull të kesh nevojë për ndihmë. Ju jeni nanë e re dhe nuk është se bëhesh profi mbrenda natës.
– Mbani shënime
Datat, pyetjet për mjekun, gjërat e bukura që nuk dëshironi t’i harroni është mirë t’i shkruani. Diçka që kam mësuar si nënë e re është se kujtesa juaj bëhet më e keqe pas lindjes (shpresoj që kjo të mos më ketë ndodhë veç mua) dhe nëse nuk shkruaj diçka të rëndësishme, ka gjasa të harrohet. Prandaj, shkruani gjërat, sepse më vonë do të doni të mbani mend saktësisht siç ishin.
– Gjërat kurrë nuk do të “kthehen në normale”
Sa më herët të pajtoheni me këtë fakt, aq më mirë. Qoftë trupi juaj (me fat janë ata që kthehen pikrisht në form ashtu siç kanë qenë) ose mënyra e jetesës. Pranoni se kjo qenie e vogël do të u’a ndryshojë jetën përgjithmonë. Pranoni realitetin tuaj të ri.
E lexova një thënje të Kerry Uashingtonit që më pelqej shumë: My body is the site of a miracle noë. I don’t ëant to be pre-miracle.”. Është vërtetë e vërtetë. Jo vetëm qenia juaj fizike, por qenia juaj emocionale dhe shpirtërore është vendi i një mrekullie dhe askush nuk mund ta mohojë fuqinë e këtij fenomeni. Pra, pranoni ndryshimin si normalen tuaj të re dhe harroni të kaluarën (duke përfshirë shumicën e teshave tuaja të vjetra ?!)
– Duajeni dhe vlerësoni trupin tuaj
Ne jemi shumë më shumë se një numër në tagun e një këmishe. Ne jemi më shumë se një numër në peshore. Bukuria dhe vlera jonë nuk janë të diktuara nga Indeksi i masës trupore (BMI).
- Ne jemi shumë më tepër se trupi ynë.
Trupi im më ka shërbyer në mënyrën më të mirë. Është pjesë e imja. Më në fund kam mësuar ta përqafoj. Më kanë mbetur strija të zbehura në bark nga lindja e zemrës sime, arrita në 76 kilogram në muajin e 9 të shtatzënisë, gati se të gjithë reagonin kur më shihnin ” avv sa shumë që je trashë, ose a ke binjakë”… dhe tani një vit më vonë arrita të humb shumë peshë bile tani edhe më të vogël se para se të mbetesha shtatzënë.
E tash gati se shpesh më pyesin se a mos jam e sëmurë apo më ka kapë ndonjë grip… Ajo që dua të them është se unë ende nuk dukem mirë në sy të disa njerëzve?!!! Por a e dini se çka eshte gjëja më e rëndësishme: është të ndiheni të shëndetshëm dhe ta doni trupin tuaj që po kaloni jetën në të.
Bukuria dhe vlera juaj REALE përcaktohen nga ju. A jeni të sjellshëm? Të mëshirshëm? A i ndihmoni të tjerët? A e shfaqni dritën tuaj në një botë shpesh të errët? Këto gjëra përcaktojnë se kush jeni, jo një numër ose etiketë.
Ju lutem, mos e harroni këtë. Pra, duajeni trupin tuaj, bashkë me ndryshimet, shenjat e tij, të metat- sepse ata janë pjesë e juaja dhe janë të mrekullueshëm. Vlerësoni dhe bëhuni të mira me veten.
– Gjeni një hobi jashtë amësisë
Nënat janë të pabesueshme dhe është puna më e mirë që kam pasur ndonjëherë, por nëse nuk keni një hobi atëherë do të mërziteni shumë shpejt. Blogimi dhe puna ime nga shtëpia në Online Marketing me klientë të ndryshëm është gjëja ime që unë dua të bëj, kjo punë vërtet më sfidon por edhe më ndihmon që gradualisht të zhvillohem dhe të mësoj.
Sigurisht që amësia e bën këtë gjithashtu, megjithëse unë nuk mund t’ju bind se sa e dobishme është të keni një hobi tjetër, punë ose diçka tjetër që vërtetë keni dëshirë t’a bëni. Është mirë që mendjelehtësia juaj të ketë diçka që është”gjëja jote” “your thing” dhe unë fort ju sugjeroj që të kuptoni se çka është ajo.
– Nuk je nanë e keqe
Ju jeni një nanë e mirë që ndoshta ka pasur një ditë të keqe. “Ndonjëherë do të kemi ditë të këqija kur nuk kemi motiv të qohemi në mëngjes dhe kalojmë kohën ulur me plot lodra përreth dhe i lëjm fëmijët tanë të shikojnë TV ose video telefon dhe të hanë ushqime të pashëndetshme. Eshtë në rregull! Jo çdo ditë duhet të jetë perfekte për neve si nana. Ditët e këqija ndodhin edhe tek nanat. Mos u merakosni, le të kalojë kjo ditë dhe të nesërmen filloni një tjetër më të mirë. Sigurisht që ju dëshironi atë që është ma e mira për fëmijët tuaj dhe kjo ju bën nënë të mirë, edhe nëse keni pasur një ditë të vështirë.
– Ç’kyçuni nga rrjetet sociale
E kam përmend edhe më parë, mendoj se mediat sociale po shkatërrojnë kohën e familjes. Unë nuk dua që djali im të rritet duke menduar se mami dhe babi qëndrojnë tërë kohën në telefona. Pra, kur je me fëmjën tënd, provo të jesh prezente me fëmijën tënd, jo gjysma me ta, e gjysma në Facebook ose Instagram. Mediat sociale janë shumë të mira për disa gjëra dhe mendoj se është një mënyrë e shkëlqyer për të ndarë fotot e bebes me familjen që jeton larg, por mos kaloni shumicën e kohës nëpër foto dhe statuse të njerëzve që nuk e keni parë që nga shkolla e mesme. Kujt i intereson çka po bëjnë? Fëmijët tanë kanë nevojë për ne dhe nëse e lëjm telefonin në dhomën tjetër perderisa argetohemi me ta nuk do të jetë diçka për të cilën do të pendohemi.
Tash që kam ndarë pesembëdhjetë këshilla të mia, kthehuni në fillim dhe lexoni këshillën e parë. Gjeni se çka funksionon për juve. Nëse një nga këto këshilla nuk funksionon për ju, ju premtoj se nuk ndihem e ofenduar. Sigurisht se ne nuk jemi nëna të njejta dhe kjo është gjëja e bukur.
Pra, urime për krejt juve që po bëheni mami, ju uroj shumë fat! Është gjëja më e mirë në botë, do t’a adhuroni këtë ndjenje!
Ndani këshillat tuaja me nënat e tjera në koment, ose dërgoni në mesazh dhe postohen në Gazeta Shneta.