Një juri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vendosur se kompania Meta ka dëmtuar me vetëdije shëndetin mendor të fëmijëve, duke i shqiptuar një gjobë prej 375 milionë dollarësh.
Sipas vendimit, kompania ka përdorur praktika të padrejta tregtare, duke shfrytëzuar dobësitë dhe mungesën e përvojës së përdoruesve të mitur. Juria konstatoi gjithashtu mijëra shkelje të ligjit për praktikat e padrejta në shtetin e New Mexico.
Rasti lidhet me një padi të ngritur në vitin 2023 nga Prokurori i Përgjithshëm i këtij shteti, i cili pretendoi se platformat e Metës janë përdorur për shpërndarjen e materialeve të paligjshme dhe për kontaktimin e të miturve nga persona me qëllime abuzive, shkruan Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Hetimi është zhvilluar edhe përmes llogarive të rreme që paraqiteshin si 14-vjeçarë.
Sipas padisë, platformat kanë rekomanduar përmbajtje të papërshtatshme dhe kanë dërguar përdoruesit e rinj drejt grupeve të pamoderuara, duke rritur rrezikun për shfrytëzim dhe ndikim negativ në shëndetin mendor.
Meta ka reaguar duke kundërshtuar vendimin dhe ka paralajmëruar apelim. Kompania thekson se punon vazhdimisht për të mbajtur përdoruesit të sigurt dhe për të luftuar përmbajtjen e dëmshme në platformat e saj.
Ndërkohë, gjykimi do të vazhdojë në një fazë të dytë, ku do të shqyrtohet nëse platformat e Metës përbëjnë “dëmtim publik” dhe nëse kompania duhet të financojë programe për adresimin e pasojave.
Ky është një nga rastet e para që ka arritur në gjykim në mesin e një vale padish kundër kompanive të mëdha teknologjike. Më shumë se 40 shtete amerikane kanë ngritur akuza ndaj Metës, duke pretenduar se platformat e saj kontribuojnë në krizën e shëndetit mendor tek të rinjtë përmes funksioneve që krijojnë varësi./Gazeta Shneta/




