Pas aktakuzave për korrupsion e ryshfet dhe dështimit të përmirësimit të sistemit shëndetësor në Kosovë, mantelbardhëve u ka dal ‘faqja e zezë’.
Dallaveret e një pjesë të personelit shëndetësor, shpërdorimi i detyrës zyrtare dhe shpërfillja e pacientëve, ka shkaktuar te këta të fundit pasiguri për trajtim brenda institucioneve spitalore publike, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo ka bërë që qindra miliona euro të shpenzohen nga kosovarët në institucione private dhe jashtë vendit. Vetëm gjatë vitit të kaluar, kosovarët për shërim kanë harxhuar 150 milionë euro jashtë Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka deklaruar para pak ditësh se ky dikaster po përpiqet që të përmirësohet perceptimi për shëndetësinë kosovare.
“MSH në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po mundohet të rris gradualisht cilësinë e shërbimeve, të reformojë sistemin dhe të luftojmë që perceptimi për mantelbardhët dhe shëndetësinë kosovare të ndryshohet, sepse ata po sfidohen nga të vërteta dhe të pavërteta”, deklaroi Rrahmani.
Doktori i pensionuar Mazllum Belegu, është i bindur se në shëndetësinë publike nuk është gjithçka zi siç përflitet e raportohet. Ai thotë se ka probleme por ato nuk ndreqen duke hedhur gurë sepse sipas tij, ka mjekë të mrekullueshëm.
“Ata mjekë që po thuhet se e kanë kryer shkollimin nëpër bodrume, kanë krijuar karrierë nëpër vende evropiane. Por sigurisht, mjekët duhet ta kuptojnë se shëndetësia duhet të jetë prioritet për një shoqëri. Sepse s’ka asgjë pa shëndet”, ka thënë Belegu për Gazeta Shneta.
Kardiologjia është një nga klinikat e QKUK-së e cila është përballur me imazhin më të keq në tri vitet e fundit. Kjo pas nisjes së hetimeve dhe ngritjes së aktakuzave nga Prokuroria ndaj kardiologëve në rastin “Stenta”, ku disa prej tyre dyshohet se përfitonin para nga spitalet private për dërgimin e pacientëve.
Drejtori i Kardiologjisë, Basri Sejdiu, konsideron se çdo aktakuzë sigurisht që e humbë imazhin, por me punë profesionale qëllimi është që të rikthehet.
“Edhe mjekët që janë me aktakuzë nuk ka vërejtje në punën e tyre dhe asnjë çalim në aspektin profesional. Sigurisht se secili skandal ndikon në imazhin e krejt sistemit shëndetësor në Kosovë”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka shtuar se besimi i pacientëve duhet të rikthehet pasi ata po shkojnë jashtë dhe kjo po u kushton shumë atyre dhe buxhetit të shtetit. /Gazeta Shneta/