Këshillë tjetër nga mamia Razije Musa – e duhur në këtë stinë të vitit.
Me anë të rrjetit social , ajo na paralajmëron se çdoherë në rast se paraqitet alergjia tek fëmija juaj , duhet konsultuar me mjekun dhe jo të përdorni barna pa e ditur efektin e tyre, shkruan GazetaShneta.
Postimi i saj:
ÇKA BËNI KUR FËMIJA JUAJ KA REAKSION TË FORTË ALERGJIK ?
Të dashura nana, shumë herë më jeni drejtuar me pyetje rreth alergjive të ndryshme por gjithmonë ju kam udhëzuar që të kontaktoni pediatrin-alergolog për të zbuluar më tutje problemin.
Sot duke biseduar me një nanë nga Kosova fillova të mendoj më shumë. Nana më takon ne plazh dhe më pyet se a kam informacion për spitalin më të afërt aty sepse e ka frikën se në rast të ndonjë reaksioni alergjik të fëmijës të shkoj më shpejtë në spital.
Pyetja ime ishte se cilat janë masat që i ndërmerr ajo para se të shkoj në spital, më tha se nuk ka të përshkruar nga mjeku diçka që mund t’a aplikoj në raste të tilla urgjente.
Dua të filloj nga vetja dhe të dal te mbesa ime, unë kam alergji të caktuar dhe gjithmonë me vete e kam një EPIPEN, në përmbajtje është adrenalinë pra hormon që prodhohet nga gjëndrat mbiveshkore.
Në rast të reaksioneve të rënda alergjike të karakterizuara me rënie të presionit të gjakut dhe ngushtim apo ënjtje të rrugëve të frymëmarrjes atëherë familjarët janë të mësuar se si t’a aplikojnë te i sëmuri, ajo injektohet menjëherë në muskuj.
Epipeni ndihmon që të lehtësohen muskujt e frymëmarjes duke hequr kështu simptomat jetëkërcënuese. Njësoj si unë edhe mbesa ime e mban me vete gjithmonë e sidomos në rast të udhëtimeve.
Në fakt ndodhë që për një kohë shumë të gjatë të mos kemi nevojë t’a përdorim dhe asaj t’i skadoj afati i përdorimit por gjithmonë sigurohemi se e kemi një me vete që mund të përdoret.
Qëllimi i këtij postimi është që ju të riktheheni te mjeku juaj dhe t’a merrni shumë seriozisht alergjinë, në rast se është shumë e rëndë dhe jetëkërcënuese ju duhet të kërkoni nga ata që të ju tregojnë se si të reagoni në rast se nuk jeni afer spitalit.
Pra, të kuptohemi qartë, qëllimi i postimit tim nuk është që ju të shkoni në barnatore dhe të kërkoni EPIPEN pa biseduar njëherë me mjekun e fëmijës tuaj dhe pa u siguruar për llojin dhe seriozitetin e sulmeve alergjike që i ka fëmija juaj.
E kam të rëndësishme që çdo prind të sigurohet për llojin e alergjisë që ka fëmjia e tij dhe të merr masat e duhura.
Me dashuri, Razija / GazetaShneta/