Zyrtari më i lartë shëndetësor i SHBA-së, ka dhënë të martën një paralajmërim të ashpër për prindërit, kompanitë e teknologjisë dhe rregullatorët, duke thënë se provat po rriten se përdorimi i mediave sociale mund të dëmtojë seriozisht fëmijët.
Në një këshillë të gjatë, kirurgu i përgjithshëm amerikan, Dr. Vivek Murthy, tha se megjithëse ka pak përfitime, “shumë tregues sinjalizojnë që mediat sociale mund të kenë gjithashtu një rrezik të thellë të dëmtimit të shëndetit mendor dhe mirëqenies së fëmijëve dhe adoleshentëve”.
Përdorimi i mediave sociale nga të rinjtë në Shtetet e Bashkuara është pothuajse universal, me deri në 95 përqind të adoleshentëve që raportojnë se përdorin një platformë sociale dhe më shumë se një e treta thonë se e bëjnë këtë “pothuajse vazhdimisht”, sipas Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, transmeton Gazeta Shneta.
Raporti i Dr. Murthy tha se media sociale mund t’i ndihmojë fëmijët dhe adoleshentët të gjejnë një komunitet për t’u lidhur, por gjithashtu që ka “përmbajtje ekstreme, të papërshtatshme dhe të dëmshme”, të cilat mund të “normalizojnë” vetëdëmtimin dhe vetëvrasjen.
Mund të përjetësojë pakënaqësinë e trupit, çrregullimet e të ngrënit dhe depresionin dhe t’i ekspozojë fëmijët ndaj ngacmimeve në internet ndërsa ata janë duke kaluar një fazë kritike në zhvillimin e trurit, paralajmëroi raporti.
Dr. Murthy u bëri thirrje politikëbërësve të forcojnë standardet e sigurisë rreth mediave sociale dhe u kërkoi kompanive të teknologjisë që të vlerësojnë me përgjegjësi ndikimin e produkteve të tyre tek fëmijët dhe të ndajnë të dhënat me studiuesit.
Ai gjithashtu këshilloi prindërit që të krijojnë zona pa teknologji në shtëpi për të promovuar komunikimin personal dhe për të edukuar fëmijët duke modeluar sjellje të shëndetshme dhe të përgjegjshme në internet.
Raporti vjen në një kohë kur autoritetet në të gjithë Shtetet e Bashkuara po kërkojnë mënyra për të rregulluar përdorimin e mediave sociale dhe për të frenuar efektet negative tek të rinjtë në veçanti. /Gazeta Shneta/