Kirurgu Valbon Gashi është prezantuar me dy kumtesa në Kongresin botëror nga Flebologjia (një lëmi nga Kirurgjia Vaskulare), i cili njihet si Kongresi më i madhi me pjesëmarrje të 1500-2000 ekspertëve nga gjithë bota.
Ky Kongres ka bërë të mundshme krijimin e një atmosfere jashtëzakonisht të hapur dhe miqësore në të cilën arritjet i kanë krahasuar autoritetet kryesore botërore dhe të vendit në këtë fushë ekzakte mjekësore.
Në këtë kongres është përfaqësuar edhe Kosova me kirurgun vaskular dhe endovaskulare Dr. Valbon Gashi.
Programi shkencor, i cili përbëhej nga leksione, tryeza të rrumbullakëta dhe simpoziume, bazohej në një numër të madh temash në fushën e sëmundjeve të enëve të gjakut, në përputhje me traditën shumëvjeçare të kongresit.
Në këtë Kongres me kumtesë shkencore me peshë të përfillshme nga kjo lëmi, prezantimet e Dr. Valbon Gashit u pritën me interesim të madh nga të pranishmit meqë metoda të cilën ai e aplikon është e veçantë dhe e rrallë në shkencat mjekësore.
Ajo që e bënë të veçantë këtë vendtubim ekspertësh, është fakti që për herë të parë Kosova prezantohet denjësisht duke ndarë përvojat dhe njohuritë bashkë me kirurgët më eminentë nga e gjithë bota.
Punimi dhe prezantimi i parë ishte: “Dy qendrat ballkanike dhe vlerësimi i kualitetit të jetës pas ndërhyrjeve në venat varikoze, respektivisht Ablacioni Termal Endovenoz, Radio-Frekuenca dhe Laseri”.
Njëra qendër ballkanike ishte Sofia (Bullgaria) me Dr Elena Goranova, e cila kishte bërë intervenimet në 150 pacientë me Radio-Frekuencë dhe Prishtina (Kosovë) me dr. Valbon Gashin, me 150 pacientë të trajtuar me Laser-1940.
Qëllimi ka qenë që të vërtetohet kualiteti i jetës mbas intervenimit, ditën e parë, ditën e shtatë dhe mbas 30 ditëve. Kualiteti i jetës definon dhimbjen, intensitetin e saj, aktivitetet fizike, sociale dhe psikologjike.
Dr. Valboni dëshmoi se Laseri 1940 është më i lehtë se intervenimet me Radiofrekuencë në 7 ditët e para dhe mbas 7 ditëve të intervenimit, nuk kanë ndryshime signifikative.
Këto dy intervenime janë të avancuara, shumë të mira për kualitetin e jetës dhe e vërteton se këto metoda, janë të parat që duhet të zgjidhen para metodave tjera e që i përgjigjen udhërrëfyesve botëror në lidhje me trajtimin e venave varikoze.
Në paraqitjen e tij të dytë me temën “Si bëhet miniflebektomia dhe mikroflebektomia sot”, Dr. Valbon Gashi, bazuar në dije të thelluara dhe eksperiencë shumëvjeçare, ka paraqitur teknikën e tij unike për largimin e venave, e cila aktualisht është më efektive në zgjidhjen e komplikimeve të sipërpërmendura. Kjo metodë e posaçme bëhet me anestezion lokal, nuk lë kurrfarë shenjash dhe ruan estetikën e këmbës. /Telegrafi