Avokati Arianit Koci ka njoftuar se ka marrë përsipër përfaqësimin juridik të Aulona Memetit, nënës e cila së fundmi publikoi përvojën e saj lidhur me trajtimin e djalit dyvjeçar në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Përmes një njoftimi publik, Koci tha se Aulona Memeti kishte kërkuar që fëmija i saj të trajtohej me dinjitet dhe në kushte elementare gjatë qëndrimit në Pediatri, por sipas deklarimeve të saj, kjo nuk kishte ndodhur. Për këtë arsye, ajo vendosi ta ndajë përvojën e saj me opinionin publik.
Sipas Kocit, bashkë me reagimin e Memetit janë publikuar edhe fotografi që, sipas tij, pasqyrojnë gjendjen e ambienteve në momentin kur djali i saj po trajtohej në klinikë.
Avokati theksoi se gjendja në shëndetësinë publike në Kosovë ka qenë prej vitesh objekt shqetësimi serioz dhe se ky rast nuk mund të trajtohet i shkëputur nga ky realitet.
“Përgjegjësia është gjithmonë individuale dhe duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve. Megjithatë, kur probleme të ngjashme përsëriten ndër vite, nuk mund të anashkalohet as përgjegjësia institucionale dhe strukturore”, ka deklaruar Koci.
Ai shtoi se, në cilësinë e përfaqësuesit juridik të Aulona Memetit, do të angazhohet për mbrojtjen e plotë të të drejtave të klientes së tij dhe për të siguruar që ndaj saj të mos ushtrohet asnjë formë presioni.



