Kompania “Pharma Leader” ka prezantuar sërish një dokument të falsifikuar në një tender në Spitalin e Gjakovës. Nga ky institucion janë ankuar në OSHP dhe kjo e fundit e ka diskualifikuar kompaninë nga pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit për një vit.
Kompania “Pharma Leader” është diskualifikuar për një vit nga pjesëmarrja në aktivitete të prokurimit nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Gjykata e tenderëve ka konstatuar se kompania ka prezantuar dokumente të falsifikuara në një procedurë tenderuese në Spitalin e Gjakovës “Isa Grezda”, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas arsyetimit të vendimit në OSHP-së, bëhet fjalë për tenderin “Furnizim me aparatura të hemodializës”. Në këtë dokument thuhet se kompania në fjalë kishte konkuruar në tender me aparaturën “Dialog+” të brendit B. Braun dhe sipas katalogut që kishte prezantuar “transportation rate dhe kapaciteti i pajisjes sipas këtij katalogu ishte: 50 to 600 ml/min”, thuhet në dokument.
Ndërkaq spitali kishte kërkuar që kapaciteti minimal i kësaj aparature të ishte 30 deri 600 ml/min.
Në vendimin e OSHP-së thuhet se Autoriteti Kontraktues në këtë rast Spitali i Gjakovës, kishte kërkuar nga kompania që të ridërgonte katalogun e pajisjes dhe sipas tyre aty ishte vërejtur se kapaciteti i aparaturës tani ishte ndryshuar nga 50-600ml/min në 30-600ml/min.
Spitali i Gjakovës ka pretenduar se mospërputhja e specifikave është vërtetuar edhe nga katalogët zyrtar të prodhuesit të pajisjes. Ata poashtu kanë kontaktuar edhe me prodhuesin i cili sipas këtij dokumenti të OSHP-së, nuk e ka mohuar e as pohuar ndryshimin e specifikave porse ka konfirmuar dhënien e pëlqimit për ofertim.
Nga kompania “Pharma Leader” janë arsyetuar se Spitali i Gjakovës i është referuar gabimisht specifikave në katalog pasi sipas tyre kapaciteti 50-600ml/min është vlerë standarde e përshkruar në katalogun e prodhuesit të pajisjes me qëllim marketingun e produktit.
Kompania “Pharma Leader” në qershor të vitit të kaluar u akuzua nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe Sekretari Naim Bardiqi se kishte prezantuar dokument fals në tenderin për insulina.
Bëhej fjalë për dokumentin “Statement” të cilin kompania “Pharma Leader” e ka prezantuar si dokument nga kompania “Pharma Trade” në Maqedoninë e Veriut. Përmes këtij dokumenti “Pharma Leader” ka aplikuar në tenderin për insulina. Por sipas Vitisë dyshohet se ky dokument është fals.
“Operatori ekonomik e ka ofruar një dëshmi ‘statement’ nga ‘PharmaTrade’ në gjuhën angleze dhe me qëllim të konfirmimit të kësaj shkrese MSH ka kontaktuar përmes shkresave elektronike me kompaninë ‘Pharma Trade’ në Maqedoni. Nga ana e kësaj kompanie kemi pranuar përgjigjen se dëshmia e ofruar nga ‘Pharma Leader’ nuk është valide dhe se ata nuk kanë ofruar asnjëherë këtë dëshmi”, ka deklaruar Vitia.
“Në pyetjen tonë nëse prodhuesi amerikan “ElliLilly” janë në dijeni për përmbajtjen e kësaj shkrese, përgjigja është se as prodhuesi nuk është në dijeni të një shkrese të tillë që kompania e ka ofruar në MSH. Bazuar në këtë korrespodencë operatori ekonomik “Pharma Leader” dyshohet se ka ofruar dokument të falsifikuar gjë që konsiderohet si vepër penale sipas Kodit Penal, Neni 390 është e përcaktuar vepra penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në 4 vjet”, ka thënë Vitia.
Pas kësaj MSh refuzoi nënshkrimin e kontratës për insulina me “Pharma Leader” dhe procedurën e ktheu sërish në ritenderim. /Gazeta Shneta/