Nëse auditimi i fondeve të investuara në Sistemin Informativ Shëndetësor nuk përfundon deri në korrik, mbledhja e premiumeve mund të shtyhet dhe kosovarët të mbesin pa sigurime shëndetësore edhe këtë vit
Një rezolutë e miratuar në Kuvendin e Kosovës kërkon nga Zyra Kombëtare e Auditimit, të bëjë auditim të përgjithshëm të fondeve të ndara për Sistemin Informativ Shëndetësor, prej fillimit të implementimit të projekti – deri në vitin 2016.
Në rezolutë po ashtu kërkohet funksionalizimi dhe shtrirja e plotë e SISH-it sipas planit të paraparë. Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, atëherë partitë opozitare kanë deklaruar se do të kundërshtojnë fillimin e mbledhjes së premiumeve, shkruan Gazeta Shneta.
Por auditimi mund ta vonojë funksionalizimin e SISH-it dhe mbledhja e premiumeve e paraparë të nisë në korrik të këtij viti, rrjedhimit të shtyhet.
Zyra Kombëtare e Auditimit në një përgjigje për Gazetën Shneta, thotë se ky auditim i performancës do të vlerësoj gjendjen aktuale të funksionimit të SISH duke vlerësuar aktivitetet e të gjithë aktereve përgjegjës për të siguruar sistem funksional.
Në auditim janë të përfshira të gjitha nivelet ministrore dhe lokale.
“Fondet e përdorura për financimin e projektit prezantojnë vetëm një komponent të auditimit. Pasi është auditim i përformancës sipas llojit, përkundër që është duke u punuar intenzivisht, ekipet përkatëse të përfshira ende kanë aktivitete deri në finalizimin e auditimit”, thuhet në përgjigje.
Plani i ZKA-së është që ky raport të publikohet gjatë vitit fiskal 2017. /Gazeta Shneta/