Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se në Kosovë janë regjistruar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë.
Pacientët janë një burrë 77-vjeçar kosovar nga komuna e Vitisë dhe një vajzë me nënshtetësi italiane 20-vjeçare, shkruan Gazeta Shneta.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Dr. Naser Ramadani, ka deklaruar se pacientët po trajtohen në Klinikën Infektive në QKUK dhe janë në gjendje të mirë.
Ai ka thënë se Instituti Kombëtar i ka ndërmarr të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Por nuk ka treguar se kur kanë hyrë në Kosovë dhe nga cilat pika kufitare.
“Ne do t’u informojmë për të gjitha masat që do të merren. Është me rëndësi që gjurmimi epidemiologjik bëhet në mënyrë precize duke marr parasyshë se ekipet e epidemiologëve janë në terren dhe ekipet e infektologëve janë në gatishmëri për t’i trajtuar pacientët. Ne i kemi të gjitha rastet që i kemi gjurmuar në hyrjet kufitare në Kosovë dhe Aeroportin e Kosovës. Edhe për këto dy raste i kemi gjurmët e tyre dhe e dimë saktë kur kanë hyrë dhe si kanë hyrë. Por kemi vetëm një problem e ajo është koha e inkubacionit”, ka deklaruar Ramadani.