Kryeministri Albin Kurti ka folur sot në një konferencë për media për situatën me koronavirusin Covid-19, ku ka konfirmuar se deri më tani asnjë rast nga 93 testet nuk ka rezultuar pozitiv.
Kurti iu ka bërë thirrje qytetarëve që nëse kanë këto simptoma: Vështirësi në frymëmarrje, kollitje, ethe, të qëndrojnë në shtëpi apo banesat e tyre dhe të kontaktojnë në numrin 03820080800 dhe të mos shkojnë menjëherë në qendrat e mjekësisë familjare apo në spitalin e qytetit të tyre, shkruan Gazeta Shneta.
“Të evitohet shtrëngimi i duarve, përqafimet dhe të pastrohen duart sa më shpesh me sapun apo dezinfektues me bazë alkooli. Këto janë këshilla të thjeshta praktike por tejet të rëndësishme dhe vendimtare”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se në Komitetin e Qeverisë janë emëruar edhe katër anëtarë të tjerë, një përfaqësues i Institutit Kombëtar, një nga Klinika Infektive, një prej Ministrisë së Infrastrukturës dhe një prej Këshillit të Sigurisë.
Në anën tjetër ministri i Shëndetësisë ka thënë se pas informatave të orës 12:00 nga Instituti Kombëtar, sot po testohen 15 mostra dhe rezultatet pritet të dalin brenda 1 orë e gjysmë.
“Nuk ka vend për panik dhe as për frikë, por mobilizim të shtuar të masave jo vetëm nga institucionet por edhe nga qytetarët”, ka deklaruar Vitia.
Ai ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë këshillat dhe rekomandimet e mjekëve. /Gazeta Shneta/