Kur duhet t’i jepni dhe kur ta ndërprisni gji dhënien gjatë natës

2017-04-05 në ora 16:56

Për nënat e reja gjumi pa ndërprerje gjatë gjithë natës është e pa imagjinueshme, ushqyerja me gji apo formulë, kolikat, kontrollet e shpeshta gjatë natës, dhe shumë faktorë të tjerë mund të ndikojnë negativisht në këtë aspekt. Shumë nëna ndoshta mendojnë se si duhet të bëhet ushqyerja gjatë natës në mënyrë që fëmija të flejë më i qetë, kur mund të ndërpritet ushqyerja me gji e fëmijës etj. Për t’ju përgjigjur pyetjeve të tilla po ju sjellim disa sugjerime për një ide më të qartë të gji dhënies gjatë natës.

Mund ta ushqej me formulë fëmijën gjatë natës?

Ndoshta disa nëna pyesin veten nëse mund të ushqejnë fëmijën e tyre me qumësht formule gjatë natës në mënyrë që ai të mund të flejë i qetë edhe pse gjatë ditës mund të jenë duke i dhënë vetëm gji fëmijës së tyre. Sigurisht që fëmija mund të flejë më i qetë pasi qumështi i formulës është më pak i tretshëm krahasuar me atë të gjirit, dhe për këtë arsye fëmija do të ndihet i ngopur për një kohë më të gjatë, dhe gjithashtu do t’ju lejojë që të pushoni më shumë duke qenë se mund t’i japë të pijë edhe dikush tjetër, për shembull bashkëshorti juaj. Megjithatë duhet të theksojmë se kjo është diçka që ndikon negativisht në prodhimin e qumështit të gjirit, duke qenë se gjëndrat do të mësohen të përshtaten të prodhojnë më pak gjatë natës. Ju duhet të dini se në këtë mënyrë do të ulni edhe sasinë e prolaktinës, e cila zakonisht prodhohet më tepër gjatë natës. Ju këshillojmë që në asnjë mënyrë nuk duhet të hidhni në biberonin e fëmijës së vogël qumësht shtesë, pra më tepër se masa e paraqitur në paketim, drithëra apo diçka tjetër në mënyrë që ai të trashet dhe fëmija të ndihet më i ngopur. Një veprim i tillë mund të shkaktojë tek fëmija dehidratim, mbytje, konstipacion, dhe në moshë të vonë ndoshta edhe obezitet.

Mund t’i jap fëmijës qumësht gjiri me biberon gjatë natës?

Dhënia e qumështit të nxjerrë nga gjiri me pompë nuk është ide e mirë, pasi nga disa studime është nxjerrë konkluzioni se qumështi i gjirit gjatë ditës nuk është i njëjtë me atë të prodhuar gjatë ditës. Nukleotidet, të cilat janë substanca kimike gjumëndjellëse të pranishme në mënyrë natyrale në qumështin e gjirit, kanë përqendrim më të lartë gjatë natës. Për këtë arsye fëmija do të flejë më i qetë nëse do të marrë nga ju qumështin e prodhuar natën.

Kur është momenti i duhur për të ndaluar gji dhënien gjatë natës?

Nëse fëmija gëzon shëndet të mirë, dhënia e gjirit gjatë natës mund të ndërpritet duke filluar nga muaji i 8-10. Kjo do të ndihmonte fëmijën në një gjumë të qetë pasi do të largonte nga ai “vese” të ciat ndikojnë në cilësinë e gjumit. Disa fëmijë janë tepër të varur nga gjiri i nënës dhe ngrihen gjatë natës ndoshta edhe çdo 30-45 minuta, për të pirë gji. Por jo cdo zgjim është i lidhur me urinë, ndoshta për fëmijën është bërë tashmë ves të qëndrojë vetëm në gji, ashtu si për disa fëmijë mund të jetë ves të duan të tunden ndërsa flenë, të duan të qëndrojnë në krah, të duan të pijnë qumësht në biberon etj.

Fëmija do të mësoj në mënyrë shumë natyrale të përshtati sasinë e ushqimit të konsumuar gjatë ditës në mënyrë që të kompensojë mos pirjen e qumështit gjatë natës, dhe për pasojë të mos ndihet i uritur. Mund të ndodhi që fëmija nga muaji i 6-të të “heqë dorë” nga pirja gjatë natës, dhe nëse ai nuk e bën këtë ju duhet t’i mësoni atij se dita është për të ngrënë dhe nata për të fjetur.