Një hotel luksoz në Colorado u shndërrua përkohësisht në një spital funksional për të testuar një ide revolucionare: kthimin e hoteleve në spitale në raste emergjente si pandemi, luftë apo fatkeqësi natyrore.
Projekti “Hotel2Hospital”, i udhëhequr nga Universiteti i Kolorados, synon të krijojë një udhëzues praktik për transformimin e shpejtë të ambienteve të hoteleve në qendra mjekësore të nivelit të lartë.
Në eksperimentin e realizuar në Hyatt Regency në Aurora, dy kate të hotelit u pajisën me dhoma pacientësh, njësi të kujdesit intensiv, laborator, farmaci, radiologji dhe sistem monitorimi elektronik, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Edhe pse pacientët ishin manekinë mjekësorë, stafi u trajtua si në kushte reale pune. Testimi tregoi se mjedisi ishte gati i barasvlefshëm me një spital tradicional.
Studiuesit thanë se ndryshe nga qendrat konvencionale të emergjencave, hotelet ofrojnë ambiente private me banjo, ventilim individual, kuzhina dhe lavanderi, dhe mund të përshtaten lehtësisht për kujdes intensiv.
Kjo ide u frymëzua edhe nga sfidat që u hasën gjatë pandemisë COVID-19, kur hapësira të mëdha si qendrat e konventave rezultuan të papërshtatshme për kujdes mjekësor të specializuar.
Pas testimit të suksesshëm, projekti do të hyjë në fazën e tretë, ku do të përpunohet një plan i detajuar që mund të aplikohet në qytete të tjera në rast krize.
Sipas drejtuesve të projektit, “Hotel2Hospital” mund të bëhet një armë e fuqishme për përballimin e mungesës së shtretërve në spitale dhe për shpëtimin e jetëve në kohë katastrofash./Gazeta Shneta/


