Kryeministri Albin Kurti ka vizituar sot Klinikën Infektive në QKUK bashkë me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, ku kanë takuar drejtorin e SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu dhe drejtoreshën e Klinikës Infektive Dr. Lindita Ajazi-Berisha.
Kurti ka deklaruar se në takim me menaxherët e QKUK-së kanë biseduar për sfidat e tyre gjatë pandemisë dhe iu ka ofruar mbështetjen e tij si kryeministër në detyrë, në mënyrë që sipas tij të mos humbet loja në 10 minutat e fundit.
“Do të fitojmë vetëm atëherë kur do të jemi bashkë dhe të respektojmë vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe udhëzimet e Institutit Kombëtar”, ka deklaruar Kurti.
Kurti iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojmë rekomandimet e ekspertëve, të vazhdojnë të mbajna maska, distancën dhe higjienën. “Qytetarët i kanë nga 180 minuta ose tri orë jashtë shtëpive apo banesave të tyre, por edhe ato nuk është mirë t’i shfrytëzojnë pa nevojë sepse vetëm ajo që është e domosdoshme është e arsyeshme, dhe vetëm kur është e domosdoshme që të dalin bëhet e arsyeshme sepse duhet ta ruajmë secili veten tonë”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri në detyrë ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me ekspert të Harvardit të cilët po i japin këshilla Qeverisë së Kosovës falas. Por ka përmendur shqetësimin për rritjen e numrit të të infektuarve dhe rënien e numrit të të shëruarve.
“Në dy ditët e fundit kemi diçka brengosëse sepse numri i të infektuarve e ka kaluar numrin e të shëruarve. Mbrëmë kishim 8 të infektuar dhe asnjë të shëruar ndërsa parje kishim 24 të infektuar dhe vetëm 14 të shëruar. Kjo lakorja e cila është në rënie të vazhdueshme mbetet e tillë përveç këtyre dy ditëve të fundit prandaj duhet ta fuqizojmë mesazhin tonë për respektimin e masave”, ka deklaruar Kurti.
Drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu në anën tjetër ka falënderuar krerët e shtetit për përkrahjen e tyre gjatë pandemisë. Sejdiu ka thënë se janë duke planifikuar që të hapin programin elektiv nëpër klinika. /Gazeta Shneta/