Në tentimin e shtatë ka kaluar me 64 vota pro Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike në Kuvendin e Kosovës.
Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike do t’u mundësonte qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Deri më tani, vlera e mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në mbi 2 miliardë euro me rreth 690 mijë kontributpagues.
Kjo i bie se vlera e përgjithshme që do të mundë të tërhiqej nga Fondi është rreth 200 milionë euro, mjete këto, që sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, janë konsideruar se do të stimulonin kërkesën agregate në treg.
Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, që më 22 korrik u miratua në Qeverinë e Kosovës, kap vlerën prej 385 milionë eurosh. Ky projektligj synon që përmes politikave fiskale dhe monetare, të ndihmohen bizneset, pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga Qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë. /express