Kaltrina Zhushi, vajza e diagnostifikuar me sëmundjen Autoimuna Anti NMDAR po shërohet. Përmes rrjetit të saj social, Facebook, ajo ka bërë të ditur se trajtimi i saj jashtë shtetit i ka ndihmuar mjaftueshëm dhe në dhjetor ka terapinë finale. Sipas saj, ajo tani po ndjehet shumë më mirë dhe pret që shumë shpejt t’i rikthehet aktivitetit dhe planëve që i ka lënë në gjysmë. Ka pak ditë që është rikthyer në Prishtinë dhe falenderon të gjithë ata që i ndihmuan gjatë këtyre ditëve.
“Kam kënaqësi të jashtëzakonshme që pas një periudhe disa mujore të kem mundësinë e komunikimit me secilin prej jush. Siç keni qenë të informuar nga familjarët dhe shoqëria ime, ka disa muaj që kam qenë e sulmuar nga sëmundja Encephalitis Autoimuna Anti NMDAR. Ditët e qëndrimit në spital kanë qenë të lodhshme e të mundishme, por ka qenë motiv i madh për mua angazhimi i gjithsecilit prej jush. Falë një fushate të jashtëzakonshme, ku në vetëm pak ditë jeni mobilizuar dhe keni arritur të bëni të mundur mbledhjen e fondeve për shërimin tim, lufta për ta mundur këtë sëmundje u bë shumë më e lehtë”, tha Zhushi.
Ajo gjithashtu tregon se sëmundja e saj ka qenë e panjohur dhe i është dashur shumë kohë dhe energji për t’u përballur me të.
“Sëmundja me të cilën jam përballur dhe po përballem (pjesërisht) ka qenë e panjohur. Prej muajit janar janë dashur më shumë se katër muaj orvatje, analiza, lëvizje prej një reparti në repartin tjetër. Siç dihet, për shkak të pamundësisë për të mbuluar financiarisht pjesën tjetër të tretmanit, më është dashur trajtim profesional jashtë vendit. Trajtimi është bërë në Gjermani dhe janë përfunduar dy fazat e nevojshme, ndërsa në dhjetor do të përfundoj edhe fazën e tretë e cila do të jetë edhe faza finale”, tregon Kaltrina
Zhushi tregon se tani po ndjehet shumë më mirë psiçikisht dhe fizikisht dhe kujdesin mjekësor do ta vazhojë në institucionet vendore. Ajo gjithashtu i falënderon të gjithë ata që i ndihmuan financiarisht dhe moralisht gjatë kësaj periudhe./GazetaShneta/