Në Universitetin e Prishtinës, në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë, është lansuar zyrtarisht Instituti i Farmacisë, një strukturë e re që synon të forcojë lidhjen ndërmjet arsimit, kërkimit shkencor dhe praktikës profesionale.
Ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hajrullah Çeku, e cilësoi këtë hap si të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit të lartë dhe sektorit farmaceutik në vend.
“Themelimi i këtij instituti nuk është vetëm një hap organizativ, por një drejtim i qartë: forcimi i lidhjes mes arsimit, profesionit dhe nevojave reale të shoqërisë… Instituti i Farmacisë krijon mundësi që universiteti të mos jetë vetëm vend i transmetimit të dijes, por vend ku dija prodhohet përmes kërkimit, analizimit dhe bashkëpunimit me praktikën”, tha Çeku.
Ndërkaq, rektori i Universiteti i Prishtinës, Arben Hajrullahu, deklaroi se themelimi i këtij instituti ka qenë një ndër vendimet e para që ka ndërmarrë në këtë detyrë.
“Ky institut, unë besoj sikurse edhe institutet e tjera, ka një potencial të jashtëzakonshëm që të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm drejt përmbushjes së misionit të Universitetit të Prishtinës”, u shpreh Hajrullahu.
Sipas tij, një nga synimet kryesore është që universiteti të rrisë bashkëpunimin me industrinë dhe të sigurojë që njohuritë shkencore të kenë zbatim konkret në praktikë.
Ndërsa profesoresha e Departamentit të Farmacisë, Pranvera Breznica, theksoi se themelimi i institutit përfaqëson më shumë sesa krijimin e një strukture të re.
“Sot nuk po shënojmë vetëm hapjen e një strukture të re, por institucionalizimin e një vizioni që lidh akademinë me praktikën profesionale, industrinë dhe shërbimin shëndetësor”, tha Breznica.



