Mamia, Razije Musa, ka bërë një apel të fortë ndaj prindërve dhe kopshteve në Kosovë që të mos i mbajnë fëmijët mbyllur në ambiente të ngrohta gjatë stinës së ftohtë.
Ajo thekson se fëmijët duhet të dalin të paktën dy herë në ditë nga gjysmë ore për të marrë ajër të pastër, pavarësisht kushteve atmosferike, përcjell Gazeta Shneta.
“Mos përdorni motin si justifikim. Pikërisht mungesa e daljes në natyrë po e dobëson imunitetin e fëmijëve,” – ka theksuar Musa.
Sipas saj, shumë fëmijë kalojnë ditën mes banesës, makinës dhe kopshtit pa asnjë kontakt me natyrën, ndërsa edhe shumë kopshte, si publike ashtu edhe private, shmangin daljet jashtë me arsyetimin e motit të ftohtë.
“Edhe foshnjat e porsalindura duhet të ekspozohen në ajër të pastër çdo ditë – në verë, vjeshtë, dimër apo pranverë. Vetëm kështu ndërtohet një imunitet i fortë,” – shtoi ajo.
Mamia Musa u bën thirrje prindërve që të mos e kufizojnë fëmijërinë brenda mureve, pasi natyra është pjesë thelbësore e zhvillimit fizik dhe emocional të fëmijëve./Gazeta Shneta/



