Maqedonia Veriore mban vendin e tretë në botë me vdekje nga Covid-19 për 100 mijë banorë, ndërsa Kosova gjendet në pozitën e 36-të.
Universiteti ‘John Hopkins’ në SHBA mbledh të dhëna të vazhdueshme nga të gjitha vendet e botës për numrin e rasteve pozitive me Sars-Cov-2, për numrin e vdekjeve si dhe përqindjen e fatalitetit në bazë të numrit të banorëve, shkruan Gazeta Shneta.
Në të dhënat e fundit që ka publikuar ky universitet, Peru mban kreun e listës së vendeve me përqindjen më të lartë prej 9.1 për qind të fatalitetit nga numri i rasteve pozitive, si dhe me numrin më të lartë të vdekjeve për 100 mijë banorë, gjithsej 613.83 për 100k.
Në vendin e dytë është Bosnje Hercegovina e cila poashtu ka përqindje të lartë të vdekjeve në raport me rastet pozitive. 4.5 për qind është vdekshmëria nga 238,458 raste nga fillimi i pandemisë, kurse 327.23 raste për 100 mijë banorë.
Pas Bosnjës gjendet Maqedonia Veriore, e treta në botë më numrin e vdekjeve për 100 mijë banorë nga Covid-19. Shteti fqinj i ka 324.36 vdekje për 100 mijë banorë, kurse 3.5 përqindjen e fatalitetit nga 193,458 raste që nga fillimi i pandemisë.
Në vendin e katërt është Mali i Zi me përqindje të ulët të fatalitetit në raport me rastet me vetëm 1.5 për qind, por me shifra të larta në raport me popullsinë. 315.85 është shifra e vdekshmërisë për 100 mijë banorë në këtë vend.
Kosova është e renditur në vendin e 36-të në këtë listë me 1.8 për qind të fatalitetit krahasuar me numrin e rasteve pozitive deri më sot, kurse me 165.25 raste të vdekjes për 100 mijë banorë.
Sipas këtyre të dhënave zyrtare të ‘John Hopkins’ Serbia është në vendin e 54-të me 0.9 për qind të fatalitetit në raport me rastet pozitive, kurse me 122.84 raste të vdekjes në 100 mijë banorë.
Ndërkaq Shqipëria është në vendin e 69-të me përqindje të fatalitetit 1.6 në raport me rastet pozitive, kurse ka 95.79 vdekje në 100 mijë banorë.
Në këtë link i gjeni të dhënat e plota: https://coronavirus.jhu.edu/data/mortality /Gazeta Shneta/