Gjatë ditës së sotme, në ambientin e Fondacionit Shtatëmbëdhjetë u mbajt eventi ’Rrëfimet e nënave të fëmijëve me Sindromën Down’’ .
Nënat e fëmijëve me Sindromën Down, u bënë bashkë për të treguar periudhat e tyre të prindërimit, sfidat e kaluara dhe historitë më të bukura që kanë përjetuar me fëmijët e tyre, transmeton GazetaShneta.
Fjalët e tyre sot peshonin më shumë se kurrë! Çdo ditë e kaluar nga pengesat e paragjykimet, nga frika se të tjerët nuk do t’i pranonin fëmijët e tyre në rrethin shoqëror apo edhe nga institucionet që mosnjohuria për Sindromën Down rezultonte që fëmijët të mos trajtoheshin në mënyrë të dinjitetshme.
“Një luftë me njerëzit përreth tyre, njëkohësisht dhe një luftë mes vetes së tyre”
Gjithë këto vështirësi i kanë përjetuar nënat me fëmijë të Sindromës Down, e që sot u bënë bashkë për të treguar që janë nëna të forta, të guximshme dhe krenare që janë nëna të fëmijëve me Sindromën Down.
Duke kthyer kohën pas, në ato vite që Sindroma Down nuk ishte aspak e njohur si term, nënat ishin ato që zëvendësuan rolin e një psikologu,logopedit,fizioterapeutit.Ishin ato që u ballafaquan nga çdo fjalë e thënë nga stafi mjekësor – “Zonjë, djali yt është një budall”, apo edhe fjalë tjera si “ Djali yt do jetoj deri në moshën 3 vjeçare”.Kështu, duke shkaktuar ankthe e netë pa gjumë, ku dita e nesërme ishte një bekim i dytë për ato.
Nuk ishte aspak i lehtë integrimi i fëmijëve në institucionet arsimore.Ndjekja e mësimit në shkolla bashkë me moshatarët ishte e pamundur pa prezencën e një asistente – sfidë e dyfishtë për familjen.
Impakti i rrethit familjar dhe shoqëror me argumentet e tyre pothuajse negative, shfaqet një barrierë për ta shikuar botën përreth, e cila çdo ditë zbardh’te me buzëqeshjen e dashurinë e ofruar nga fëmijët.
“Fëmijët me Sindromën Down janë të veçantë dhe janë si gjithë fëmijët e tjerë.Ata meritojnë të jenë pjesë e shoqërisë sonë!”
Në përkrahjen e nënave ishte dhe ish Presidentja e Kosovës, znj.Atifete Jahjaga që shprehi gatishmërinë për t’i mbështetur fëmijët me Sindromën Down.
Ky event mbështetet në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC./GazetaShneta/