Dita Botërore kundër HIV/AIDS-it po shënohet edhe në Kosovë me aktivitete të ndryshme.
Koordinatorja e organizatës “Integra”, Emel Ajdini, ka deklaruar se deri më tani në Kosovë janë 113 raste me virus AIDS, pra që nga shfaqja e këtij virusi dekada më parë.
Ajo bëri me dije se organizata “Integra”, ka organizuar aktivitet për Ditën Botërore kundër AIDS-it, “Shëndeti im, e drejta ime”.
“Nëse duam t’i japim fund kësaj sëmundjeje duhet t’i japim të drejtë atyre që janë me këtë virus qasje dhe të drejtat në shëndetësi”, tha ajo sot në RTK.
Sipas saj, sa i përket vetëdijesimi për këtë virus, Ajdini deklaroi se në çdo vend të botës edhe në Kosovë është vështirë të kemi një matje. “Ka vetëdijesim, por presim që në vitet e ardhshme të kemi ndryshim për të mirë sa i përket vetëdijesimit për këtë sëmundje”, tha ajo.
Gjatë ditës së sotme Shoqata e Infektologëve të Kosovës, organizon tryezën “Jeta ime, e drejta ime”.