Një studim i ri tregon se mëngjesi që siguron rreth 20% deri në 30% të energjisë ditore është më i favorshmi për shëndetin e zemrës, veçanërisht tek të moshuarit.
Ngrënia më pak ose më shumë se kjo sasi mund të ndikojë negativisht në faktorët kardiometabolikë – shkruan Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Studimi i botuar në revistën “Journal of Nutrition, Health and Aging”, është ndër të parët që analizon përmbajtjen kalorike të mëngjesit dhe ndikimin e tij në shëndetin kardiovaskular.
Studimi u realizua nga Instituti Kërkimor Hospital del Mar në Spanjë, duke përdorur të dhëna nga një provë klinike mbi përfitimet e dietës mesdhetare me ose pa aktivitet fizik.
Në studim morën pjesë 383 individë – gra të moshës 60–75 vjeç dhe burra 55–75 vjeç – të gjithë me mbipeshë ose obezitet (BMI 27–40 kg/m²) dhe me të paktën tre shënues të sindromës metabolike. Pjesëmarrësit u ndoqën për 36 muaj për të vlerësuar ndryshimet në shëndetin e zemrës.
Rezultatet treguan se personat që konsumonin mëngjesin brenda intervalit optimal prej 20–30% të kalorive ditore kishin përmirësim të ndjeshëm të treguesve metabolikë.
Në të kundërt, ata që hanin më pak se 20% ose më shumë se 30% të kalorive në mëngjes kishin rritje të indeksit të masës trupore, të perimetrit të belit dhe nivele më të larta të triglicerideve, krahasuar me grupin optimal.
Po ashtu, këta persona shfaqën nivele më të ulëta të HDL – kolesterolit “të mirë” – duke treguar se balanca e energjisë së mëngjesit është thelbësore për mirëqenien kardiovaskulare dhe metabolike. /Gazeta Shneta/


