Mbi 6 milion euro i kushtuan Agjencisë Qendrore të Prokurimit pesë tenderët e nënshkruar për furnizim me ushqim dhe pije për Spitalin Rajonal në Ferizaj. Tenderët janë nënshkruar gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit 2019 me kohëzgjatje deri në dhjetor të këtij viti, por pavarësisht shpenzimeve të mëdha ushqimi në këtë spital është i varfër.
Për këtë ankohen edhe pacientët të cilët marrin shërbim mjekësor në këtë spital.
Një pacient i cili ka qëndruar i shtrirë për katër ditë në njërën nga dhomat e këtij spitali ka dërguar fotografi dhe video të ushqimeve – të servuara gjatë tre vakteve.
Në shujtën e mëngjesit është servuar bukë, dy pjesë të mishit- sallam dhe një pjesë djath, ndërsa supa është servuar në gotë të plastikës.
Madje gjatë këtij vikendi dy vaktet e ushqimit janë servuar në të njejtën kohë. Pacienti gjatë një prononcimi për Gazetën Shneta tregoi se gjatë ditës së shtunë, dreka dhe darka janë servuar së bashku, shujta e drekës është dashur të ruhet deri në darkë.
“Tash e kanë sjellë drekën edhe darkën bashkë. Na thanë që vikendeve kuzhina punon deri në ora 14:00” – raportoi pacienti gjatë kohës sa është servuar ushqimi nga kuzhina e spitalit.
Për drekë kanë shërbyer gullash me perime dhe mish të kuq ndërsa për dark një pashtetë dhe dy pjesë të bukës të mbështjellura me faculetë.
Servimi i këtyre ushqimeve në tre vaktet është në kundërshtim me atë që thuhet në njoftimin e vendosur në spital rreth ushqyerjes – në të cilën anulohet shumica e ushqimeve të cilat janë servuar në spital.
Pashteta, sallama dhe buka e bardhë hynë në mesin e ushqimeve të cilat nuk janë të preferuara të konsumohen por gjatë shujtave një gjë e tillë nuk është përfillur. Ushqimi servohet për të gjithë pacientët njësoj pavarësisht sëmundjeve të tyre të ndryshme.
Që dreka dhe darka janë servuar në të njejtën kohë e konfirmon edhe UD Drejtori i Spitalit, Selajdin Sallahu.
Pasi që Gazeta Shneta ia dërgon videon dhe fotografitë Sallahu ka kërkuar sqarim nga përgjegjësi për shpërndarjen e ushqimit. Përgjegjësi për shpërndarjen e ushqimit është arsyetuar se njërin prind e ka të sëmurë, për këtë arsye ka punuar me orarë të shkurtuar këtë të shtunë.
Sallahu njoftoi se për një gjë të tillë ka kërkuar sqarim nga përgjegjësi për shpërndarje të ushqimit dhe për të do të ndërmerren masa konformë veprës së tij.
“Personi që ka qenë përgjegjës për me shpërnda ushqimin e ka pas prindin e sëmurë atë ditë, është deklarata verbale e tij, jam në pritje edhe të deklaratës me shkrim. Do të merren masa të më tutjeshëm. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodh në asnjë mënyrë. Asnjëherë më parë nuk ka ndodh një gjë e tillë dhe masat do të ndërmerren konformë veprës” – tha ai për Gazetën Shneta.
Në klinika dhe spitale regjionale ushqimi servisohet për të gjithë pacientët njësoj, asnjë nga spitalet nuk ka nutricistë – përmes së cilit përcaktohet se cili ushqim duhet të konsumohet varësisht nga diagnosa e pacientit.
UD. Drejtori Sallahu, synon që në një të ardhme të afërme të angazhoj një nustricist në spital, duke e kundërshtuar servimin e ushqimit për të gjithë njësoj.
“Ne si menaxhmen e kemi në strategjinë tonë, në një të ardhme të afërt e kemi edhe synim të bëjmë ushqimin e përshtatshëm me gjendjen shëndetësore në të gjitha repartet. E kemi prioritet me rregullu çështjen e ushqimit. Planifikojm gjithashtu të kemi edhe nutricist” – tregon planet për të ardhën kardiologu.
Për të është shqetësues është servimi i ushqimit në reparte, pasi që ai thotë se mungesa e ashensorit e vështirson lëvizjen nga bodrumi i spitalit – ku është kuzhina deri tek dhomat e reparteve.
“Do të duhej ushqimi të shpërndahej me karroca mirëpo nga bodrumi shpërndarja bëhet me tabakë”, shprehet i shqetësuar ai.
Selajdin Sallahu – Ud. Drejtor ne Spitalin Rajonal te Ferizajt
Foto:Gazeta Shneta
25.10.2022
“Tenderët milionëshe”
Tre vite më parë Agjencia Qendrore e Prokurimit gjatë një periudhe të shkurtët pati nënshkruar gjashtë tender për furnizim me ushqime e pije për Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj.
Sipas përllogaritjeve të tenderëve, gjashtë tenderët e nënshkruar me kompani të ndryshme, Agjencia Qendrore e Prokurimit ka shpenzuar mbi 6 milion euro.
“Furnizim me ujë, pije të gazuara dhe të pa- gazuara”, “Furnizim me artikuj ushqimor dhe Furnizim me mish dhe produkte të mishit”, “Furnizim me artikuj ushqimor dhe Furnizim me bylmet” dhe “Furnizim me artikuj ushqimor” janë pesë tenderët e nënshkruar për furnizim me ushqim dhe pije për Spitalin Regjional në Ferizaj gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit 2019 ndërsa tenderi me titull “Furnizim me bukë dhe brumëra të tjerë” është nënshkruar në shkurt të vitit 2020.
Kohëzgjatja e tenderëve është deri në dhjetor të këtij viti.
Tenderi i fundit për furnizim me ujë të pijshëm është nënshkruar më gjashtë tetor 2022 në një vlerë prej 236 mijë euro. Tenderi është një vjeçarë./Gazeta Shneta/
Lehona në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK: Ushqimi në burgje është 100 fish më cilësor