Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia, ka njoftuar për mbërritjen e 7 mijë testeve për koronavirus në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.
Vitia ka thënë se është iniciuar kërkesa edhe për 10 mijë teste të reja, ndërsa ka njoftuar se Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka furnizuar me një pjesë të donacionit me material mjekësor mbrojtës kundër Covid-19, shkruan Gazeta Shneta.
Njoftimi i plotë nga Vitia:
Shtatë mijë teste mbërritën sot në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për RT-PCR. Ato do të shërbejnë për të detektuar sëmundjen COVID-19. Ndërkohë, u iniciua kërkesa për furnizmin edhe me dhjetë mijë teste të tjera.
Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbërriti një pjesë e donacionit me material mjekësor mbrojtës kundër COVID-19.
Në ditët në vijim mbërrin edhe donacioni nga UNICEF me materiale shtesë.
Përmes Bankës Botërore kanë përfunduar proceduarat e aktivitetit të prokurimit për material mjekësor mbrojtës.
Ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë, është në fazën finale prokurimi për materiale mbrojtëse, pajisje dhe barna.
Krahas veprimeve institucionale, individë dhe biznese brenda dhe jashtë vendit po vazhdojnë të solidarizohen me donacione të shumta si kontribut për të administruar situatën me COVID-19.
Rreth 300 vullnetarë janë regjistruar dhe aktualisht janë në krye të detyrës duke i dalë në ndihmë qytetarëve dhe personelit shëndetësor.
Të dashur qytetarë,
Kjo kohë krize edhe një herë e vuri në pah solidaritetin, gatishmërinë, vetëdijen dhe kulturën e lartë qytetare.
E gjithë kjo është një falenderim, mirënjohje dhe ndihmë e madhe për personelin shëndetësor??
Qëndroni në shtëpi.
Ndiqni rekomandimet e MSh-së dhe IKShP-së.
Bashkë do t’ia dalim!