Disa mjekë kandidatë për specializime përmes një letre të përbashkët i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të ndryshojë kriteret e konkursit, pasi sipas tyre kriteret e hartuara e zhvlerësojnë mundin e mjekëve në periudhën e studimeve 6-vjeçare si dhe punën postdiplomike.
“Vlerësojmë që kriteret janë hartuar në mënyrë që të kënaqin synimet dhe interesat e një grupi të vogël të interesit. Përfundimisht vlerësojmë që kriteret janë subjektive dhe kërkojmë nga organet kompetente që të ndryshojnë kriteret e vlerësimit. Të krijohen kritere të paanshme dhe objektive në mënyrë që edhe kualifikimi i mjekëvë për shkollimin specialistik të jetë kualifikim objektiv dhe i drejtë”, thuhet në këtë letër, transmeton Gazeta Shneta.
Mjekët kandidatë në konkursin për specializime kanë rënditur arsyet pse duhet të ndryshohen këto kritere:
1) Nota mesatare përfaqëson sakrificën dhe suksesin e një studenti për çdo lëndë studimore, ne vlerësojmë e kërkojmë që përqindja kryesore e pikëve të nxirret nga nota mesatare. Nota mesatare duhet të vlerësohet si e plotë duke i përfshirë edhe numrat pas decimales (presjes dhjetore) dhe të shumëzohet me një koeficient më të lartë. Nëse nota mesatare e cila është nxjerrë nga sakrifica 6 vjeçare është aq e parëndësishme sa që të barazohet me një intervistë 5-15 minutëshe atëherë kërkojmë që nota mesatare të anulohet për çdo provim/lëndë në Fakultet të Mjekësisë. Çdo provim të bëhet tash e mëtutje si “kaloj/nuk kaloj”. Nota mesatare duhet të merr vlerësimin meritor ose në të kundërtën të anulohet tërësisht si pjesë e vlerësimit të planprogramit studimor në Fakultetin e Mjekësisë.
2) Të vlerësohet më lartë koha e pritjes nga data e licensimit dhe së bashku me notën mesatare të jenë kriteret bazë. Mjekët të cilët nuk e lëshuan vendin dhe pritën shumë vite këtu për specializim, punuan e sakrifikuan për vendin tonë e meritojnë një vlerësim më dinjitoz.
3) Për shkak që Phd studimet dhe punimet shkencore pak a shumë dallojnë për nga vlera profesionale me shkollimin specialistik, kërkojmë eliminimin e poentimit nga phd studimet dhe punimet shkencore.
4) Kërkojmë që intervista të ketë vetëm rol simbolik. Poentimi nga intervista të eliminohet plotësisht.
5) Kërkojmë që kriteri minus 2.5 pikë/vit të ndryshohet në minus 1.25 pikë/vit.
Të gjithë së bashku jemi për mbajtjen e këtij konkursi.
Kjo kërkesë i dërgohet: Ministrisë së Shëndetësisë, Odës së Mjekëve të Kosovës, Bordit Qendror për Shkollim Specialistik, Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Kryetarit të FSSHK-së.
Nga: Doktorët kandidatë për konkursin e shkollimit specialistik 2020.